Ka ndodhur

Dhunuan 46-vjeçarin për plazhin publik në Ksamil, pranga pronarit të lokalit dhe 2 të tjerëve

Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar për dhunën barbare të ushtruar ndaj 46-vjeçarit Albert Pashaj ditën e djeshme në Ksamil.

Policia tha se në pranga kanë rënë pronari i “Sunset Bar” Agim Taraj, Silvjan Sulku 18 vjeç dhe Aldo Zeqiraj 35 vjeç. Gjithashtu është proceduar penalisht një 17 vjeçar që dyshohet të jetë përfshirë në dhunën ndaj Pashajt.

Mësohet se konflikti fizik ka ndodhur për shkak se si Taraj ashtu edhe Pashaj kishin aplikuar për të marrë leje shfrytëzimi në të njëjtën hapësirë të plazhit publik të Ksamilit.

Albert Pashaj, pronar i “Euro hotel” ishte konfliktuar edhe më herët me të njëjtët persona sipas videos së publikuar në media pas ngjarjes ku 46 vjeçari u shfaq i gjakosur në fytyrë.

Nën hetim është edhe gruaja e Pashajt O.P 40 vjeçe nën dyshimin se kishte dëmtuar më parë beach barin në pronësi të Agim Tarajt.

Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim. Ngjarja shqetësoi pushuesit dhe shkaktoi panik pasi në pamjet e publikuara nga gruaja e 46 vjeçarit të dhunuar, ky i fundit shfaqej i gjakosur, ndërsa njëri prej autorëve largohej nga vendngjarja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë