Gazeta Si – Një konflikt i ashpër mes dy biznesmenëve lokalë në Ksamil ka përfunduar me dhunë fizike, ku shkak dyshohet përdorimi i hapësirës publike në zonën e plazhit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, i lënduari është Albert Pashaj, pronar i “Euro Hotel Ksamil”, i cili është sulmuar me sende të forta brenda ambienteve të hotelit të tij. Si autor i dyshuar i dhunës identifikohet Agim Taraj, pronar i “Sunset Restorant Ksamil”.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, është konstatuar se në konflikt kanë qenë të përfshirë edhe tre persona të tjerë. Aktualisht, autoritetet janë në kërkim të tyre.
“Sot, rreth orës 12:45, në Ksamil, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është dhunuar me sende të forta shtetasi A. P. Menjëherë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë shoqërimi i shtetasit A.T, si dhe po punohet per identifikimin dhe shoqerimin e personave te tjere të dyshuar si persona të përfshirë në këtë konflikt”, – njofton policia.
Sipas burimeve paraprake, përplasja ka ardhur si pasojë e një konflikti për menaxhimin dhe vendosjen e çadrave në hapësirën përballë hotelit, pjesë e vijës bregdetare që shpeshherë është bërë burim mosmarrëveshjesh mes subjekteve private në zonat turistike të jugut.
Dyshohet se shkaku kryesor i përplasjes lidhet me pretendimet mbi pronësinë dhe kontrollin e territorit në plazh, një problem që ka marrë përmasa shqetësuese sidomos gjatë sezonit turistik veror, ku fluksi i lartë i pushuesve sjell edhe tension mes operatorëve lokalë.
Pashaj është dërguar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autori i dyshuar, Agim Taraj pritet të merret në pyetje nga autoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




