Bota

Sulmet izraelite vrasin 60 persona pranë një qendre ndihmash në Gaza

Gazeta Si – Të paktën 60 palestinezë janë vrarë që nga mëngjesi i kësaj të shtune në bastisjet izraelite në Rripin e Gazës, sipas burimeve në spitalet lokale, sipas “Al Jazeera”-s.

Të paktën 29 nga viktimat po prisnin ndihmë humanitare pranë qendrave të shpërndarjes, vuri në dukje transmetuesi, duke shtuar se të paktën 100 persona u plagosën.

Sulmi ka ndodhur në një zonë ku ndodhen civilë të zhvendosur, të cilët prej javësh kërkojnë strehim dhe ndihma bazë për mbijetesë. Ende nuk është e qartë nëse qendra e ndihmës ka qenë objektiv i drejtpërdrejtë i sulmit apo është prekur si pasojë e bombardimeve në zonat përreth.

Situata humanitare në Gaza mbetet kritike, me numrin e viktimave që rritet çdo ditë. Organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një katastrofë të përmasave të paprecedenta, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe garantimin e korridoreve humanitare për ndihmat.

Qyteti i Rafahut ka qenë një nga zonat më të goditura gjatë javëve të fundit, pasi shumë banorë të Gazës janë zhvendosur atje për t’i shpëtuar luftimeve në pjesët e tjera të territorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë