Ne rrjet

Trump kërkon 10 mld $ nga Murdoch për artikullin rreth çështjes ‘Epstein’

Gazeta Si – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paditur gazetën Wall Street Journal, pronarin e saj Rupert Murdoch dhe drejtuesit e mediave të tij, duke kërkuar një dëmshpërblim rekord prej 10 miliardë dollarësh. Shkak është bërë një artikull i publikuar së fundmi, ku përmendet një letër e supozuar e Trump drejtuar financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, i dënuar për trafik seksual të miturish.

Sipas gazetës, letra është gjetur në një album personal që partnerja e Epstein, Ghislaine Maxwell, i kishte përgatitur atij për 50-vjetorin në vitin 2003. Në të, Trump dhe Epstein shkëmbejnë batuta me nëntekste seksuale, ndërsa letra është e shoqëruar me një vizatim të një gruaje nudo ku firma e Trump është vendosur në mënyrë të pavend. Gazeta e quan letrën “skenike dhe të papërshtatshme”.

Trump ka mohuar kategorikisht që kjo letër të jetë shkruar prej tij, duke e quajtur një “trillim të neveritshëm” dhe një sulm politik të qëllimshëm nga mediat e Murdoch. Ai ka deklaruar publikisht në rrjetin e tij social Truth Social: Wall Street Journal dhe vetë Murdoch ishin paralajmëruar personalisht nga unë dhe nga zëdhënësja ime Karoline Leavitt se letra është FALSIFIKIM. Ata gjithsesi vendosën ta botonin dhe tani do përballen me pasojat.

Trump ka urdhëruar gjithashtu ministren e tij të Drejtësisë, Pam Bondi, që të deklasifikojë të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me rastin Epstein, duke thënë se kërkon transparencë të plotë. Por disa gjykata mund të refuzojnë, për të mbrojtur privatësinë e viktimave.

Kjo çështje ka tensionuar edhe më tej marrëdhëniet mes Trump dhe pjesës së mediave konservatore që nuk e mbështesin plotësisht. Por ndërkohë, lajmi duket se ka ribashkuar bazën e tij politike, duke përfshirë aktivistët e MAGA, që ishin të ndarë për rastin Epstein. Edhe personalitete si Steve Bannon, Laura Loomer dhe Elon Musk e kanë quajtur letrën “një falsifikim të dukshëm”.

Trump, për t’u mbrojtur, ka deklaruar se “nuk vizaton asnjëherë”, megjithëse mediat kanë rikujtuar disa skica të ndërtesave në Nju Jork që ai vetë ka bërë në të kaluarën dhe që janë shitur në ankand. Megjithatë, kampi i tij politik tani është rikthyer në një qëndrim të bashkuar, duke e konsideruar këtë çështje një tjetër “sulm të orkestruar nga mediat liberale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë