Bota

Izrael-Siri, marrëveshje armëpushimi, Trump: Do lirohen edhe 10 pengje të tjera nga Gaza

Gazeta Si – Izraeli dhe Siria kanë arritur një marrëveshje për armëpushim, me mbështetjen dhe nënshkrimin e Turqisë, Jordanisë dhe vendeve të tjera fqinje. Lajmin e konfirmoi ambasadori amerikan në Turqi dhe njëkohësisht i dërguari special i SHBA për Sirinë, Tom Barrack.

“Siria e Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim. Ftojmë komunitetet druze, beduine dhe sunite që të lënë armët dhe, së bashku me minoritetet e tjera, të ndërtojnë një identitet të ri sirian të bashkuar, në paqe dhe prosperitet me fqinjët e saj”, deklaroi Barrack.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se së shpejti pritet të lirohen edhe 10 pengje të tjera nga Gaza.

Gjatë një darke me ligjvënës në Shtëpinë e Bardhë, Trump nuk dha detaje të mëtejshme mbi identitetin e pengjeve apo afatet e mundshme të lirimit.

Ai përgëzoi gjithashtu punën e të dërguarit të tij special, Steve Witkoff.

“Kemi arritur të kthejmë shumicën e pengjeve. Shpresojmë ta përmbyllim këtë çështje sa më shpejt,” u shpreh presidenti amerikan.

Ngjarja vjen në vazhdën e negociatave të ndërlikuara për lirimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës që nga përshkallëzimi i konfliktit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë