Gazeta Si – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka kërkuar diplomatëve amerikanë në mbarë botën që të mos shprehin opinion mbi drejtësinë apo integritetin e zgjedhjeve në vendet e tjera, sipas një note të brendshme të Departamentit të Shtetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ky urdhër, i dërguar më 17 korrik në të gjitha misionet diplomatike amerikane, ndalon deklaratat apo postimet në media sociale lidhur me zgjedhjet, përveç në rastet kur ekziston një interes i qartë dhe i fuqishëm i politikës së jashtme amerikane.
Në raste kur është e përshtatshme të komentosh për zgjedhjet e huaja, mesazhi duhet të jetë i shkurtër dhe i fokusuar vetëm në përgëzimin e fituesit dhe theksimin e interesave të përbashkëta.
Diplomatët nuk lejohen të komentojnë mbi drejtësinë, legjitimitetin apo vlerat demokratike të proceseve zgjedhore pa miratimin e qartë të udhëheqjes së lartë të Departamentit.
Ky ndryshim rrënjësor në qasje pasqyron fjalimin e Presidentit Donald Trump në Riad, ku ai kritikoi ndërhyrjet perëndimore dhe theksoi se SHBA-të do të ndjekin partneritete strategjike duke respektuar sovranitetin kombëtar të vendeve të tjera.
Nën administratën Trump, promovimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut ka marrë një qasje të re, duke u parë më shumë si ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve, ndërsa Departamenti i Shtetit ka ndërmarrë ndryshime për të kufizuar ndikimin e aktivistëve të krahut të majtë brenda vetë institucioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




