Trashëgimi

Kthehet në Pompei mozaiku i zhdukur që prej Luftës së Dytë Botërore

Nga Gazeta “SI”- Pas më shumë se tetë dekadash zhdukjeje, një panel mozaiku i rrallë nga koha e Romës së Lashtë është rikthyer në Parkun Arkeologjik të Pompeit. Vepra, me motive erotike dhe e realizuar mbi pllaka travertine, daton nga fundi i shekullit I para Krishtit deri në fillim të shekullit I pas Krishtit. Ajo ishte grabitur gjatë Luftës së Dytë Botërore nga një oficer i Wehrmacht-it dhe kishte përfunduar në një koleksion privat në Gjermani.

Riatdhesimi i saj u bë i mundur falë trashëgimtarëve të një qytetari gjerman tashmë të ndjerë, të cilit mozaiku i ishte dhuruar nga një kapiten nazist. Të afërmit e tij vendosën ta dorëzojnë veprën tek autoritetet gjermane, duke i hapur rrugë kthimit të saj në Itali. Në këtë proces luajtën një rol kyç përpjekjet e përbashkëta të Konsullatës italiane në Stuttgart dhe autoriteteve gjermane, në një akt bashkëpunimi kulturor e diplomatik.

Edhe pse vendndodhja e saktë e mozaikut në Pompeii nuk dihet, studiuesit besojnë se panele të tilla përdoreshin për të zbukuruar dhoma gjumi apo hapësira private të banesave të pasura romake. Në kontrast me temat heroike dhe mitologjike që dominonin në artin publik, ky mozaik përfaqëson një kthesë drejt intimes dhe personales, një dëshmi e shijeve estetike dhe përditshmërisë romake.

Arkeologët e kanë cilësuar mozaikun si një objekt me “rëndësi të jashtëzakonshme kulturore”, jo vetëm për vlerat e tij artistike dhe historike, por edhe për mënyrën sesi pasqyron jetën e brendshme të botës antike. Pas procesit të konservimit dhe katalogimit, ai do të ekspozohet për publikun dhe studiuesit në Parkun Arkeologjik të Pompeit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë