Nga Gazeta Si- Pas zjarrit të madh që ra në landfillin e mbetjeve në Elbasan në fillim të korrikut, një qytetare nga Elbasani, e diagnostikuar me astmë bronkiale në formë të rëndë, ka depozituar një padi civile kundër kompanisë dhe Bashkisë Elbasan, për dëmet e shkaktuara nga ndotja ajrore e shkaktuar pas zjarrit.
E shoqëruar nga aktivisti dhe avokati i Drejtësi Sociale, Gentian Sejrani, qytetarja kërkon dëmshpërblim për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, si pasojë direkte e kësaj ngjarjeje.
Fatmira Sejrani, 63 vjeç, vuan prej shumë vitesh nga një sëmundje e aparatit respirator dhe gjatë atyre ditëve pati një përkeqësim të situatës shëndetësore, ku nëse e përdorte pompën 1-2 herë në ditë, iu desh ta përdorte 5-6 herë në ditë.

Zjarri çliroi re të dendura tymi të zi, me erë të rëndë djegieje plastike dhe materiale organike, që për ditë të tëra u përhapën në zonat e banuara.
Sipas avokatit, gjatë javës së parë të muajit korrik, qytetarët e Elbasanit, përfshirë edhe paditësen, përjetuan simptoma shqetësuese si vështirësi në frymëmarrje, djegie në sy, dhimbje koke dhe ndjesi të përziera.

Sipas matjeve të realizuara nga organizata Co-PLAN Institute for Habitat Development më 2 korrik, cilësia e ajrit ka qenë shumëfish mbi normat e lejuara të BE-së, duke përfshirë nivele alarmante të NO₂, CO₂, metanit, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs) dhe grimcave PM2.5/PM10 – me pasoja të rënda për shëndetin, veçanërisht për personat me sëmundje kronike respiratore.
“Kjo padi është një hap i rëndësishëm drejt kërkimit të drejtësisë mjedisore dhe llogaridhënies institucionale, në një qytet që prej vitesh përballet me ndotje sistematike dhe mungesë transparence mbi menaxhimin e mbetjeve urbane”, thotë avokati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



