Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është i zhgënjyer nga Vladimir Putini, por ende ‘nuk e ka përfunduar marrëdhënien me të’.
Në një intervistë telefonike për BBC, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi: “Nuk kam besim pothuajse te askush”, kur u pyet nëse i beson liderit rus.
Deklaratat vijnë disa orë pasi Trump shpalli planet për të dërguar armë në Ukrainë dhe paralajmëroi se do të vendosë tarifa të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi brenda 50 ditëve.
Në intervistën nga Zyra Ovale, presidenti amerikan konfirmoi përkushtimin ndaj NATO-s, një aleancë që dikur e kishte quajtur “jashtë loje”. Ai tha se tani aleanca ka ndryshuar sepse vendet anëtare po paguajnë detyrimet e tyre.
Trump foli edhe për marrëdhënien me Putinin, duke pranuar se ka menduar se një marrëveshje me Rusinë ishte e afërt katër herë, por çdo herë, sipas tij, Putini e ka shkatërruar shpresën me veprime të reja, siç është bombardimi i ndërtesave në Kiev.
“Jam i zhgënjyer, por nuk kam përfunduar me të,” tha Trump. “Do të kemi një bisedë të mirë. Mendoj se jemi afër, dhe pastaj ai rrëzon një ndërtesë në Kiev.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




