Trashëgimi

Nga pallatet e mbretit te qytetet ujore- Propozimet e reja për në UNESCO

Nga Gazeta “SI”– Brenda pak ditësh, një ndër simbolet më të njohura të Gjermanisë , Kështjella “Neuschwanstein”  mund të marrë një nga titujt më prestigjiozë në fushën e trashëgimisë kulturore. Bashkë me tre pallate të tjera të ndërtuara nga Mbreti Ludëig II i Bavarisë, ajo është propozuar për përfshirje në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Vendimi pritet të merret në sesionin e 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që po zhvillohet në Paris dhe që përfundon më 16 korrik.

Prej një dekade, Gjermania ka synuar që këto vepra arkitekturore të hyjnë në listën ndërkombëtare të mbrojtjes, e cila përfshin aktualisht 1.223 lokalitete në mbarë botën. Midis pallateve të propozuara janë: Kalaja “Neuschwanstein”, pallati “Linderhof”, kompleksi “Herrenchiemsee” dhe Shtëpia Mbretërore në Schachen.

E ndërtuar në vitin 1869 si një rezidencë private për mbretin, Kalaja “Neuschwanstein” nuk u përfundua gjatë jetës së tij. E pozicionuar në një peizazh malor përrallor, ajo është kthyer në një ikonë globale të arkitekturës romantike dhe pret mbi një milion vizitorë çdo vit. Për shumëkënd, ajo mishëron imazhin klasik të “kështjellës së përrallave”.

Pallatet janë pronë e shtetit federal të Bavarisë dhe dallohen jo vetëm për pamjen e jashtme madhështore, por edhe për zbukurimin e brendshëm luksoz dhe temat mitologjike që reflektojnë shpirtin melankolik dhe idealist të Ludwig II.

Përveç pallateve të Bavarisë, këtë vit janë paraqitur për vlerësim 32 nominime të tjera nga vende të ndryshme të botës. Ndër to përfshihen qyteti nënujor Port Royal në Xhamajkë, petroglifet prehistorike të lumit Daegokcheon në Korenë e Jugut, peizazhi paleolitik Faya në Emiratet e Bashkuara Arabe, pikturat shkëmbore në shpellën Shulgan-Tash në Rusi dhe nekropoli perandorak i Perandorisë Perëndimore Xia në Kinë.

India, nga ana tjetër, ka propozuar një ansambël fortesash të Perandorisë Maratha në shtetet Maharashtra dhe Tamil Nadu, ndërsa Taxhikistani ka paraqitur rajonin historik Khuttal.

Propozimet e listës dhe ndikimet politike

Pavarësisht rëndësisë që i jepet kësaj liste, ekspertët kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si bëhen përzgjedhjet. Antropologu Christoph Brumann nga Instituti “Max Planck” e ka cilësuar procesin shpeshherë si të ndikuar nga politika, ndërsa në librin e tij “The Best We Share” (2021) thekson se përfshirja në listë çon zakonisht në rritje të turizmit masiv,  një fenomen që mund të ndikojë negativisht në jetën e komuniteteve lokale.

Krahas nominimeve të reja, Komiteti po shqyrton edhe kërcënimet në rritje ndaj vendeve tashmë të përfshira. Sipas një studimi të fundit të UNESCO-s dhe Institutit Botëror të Burimeve, mbi 70% e vendeve të Trashëgimisë Botërore përballen aktualisht me rreziqe nga mungesa e ujit ose përmbytjet. Një ndër shembujt më të përmendur është Taj Mahali në Indi, i cili përballet me rrezikun e fundosjes për shkak të rënies së nivelit të ujërave nëntokësore.

Pas përmbytjeve shkatërrimtare të vitit 2022, edhe Parku Kombëtar Yellowstone në SHBA u detyrua të mbyllej përkohësisht, me kosto rindërtimi mbi 20 milionë dollarë. Rajonet më të prekura nga këto fenomene janë Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe pjesë të Azisë Jugore e Kinës Veriore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë