Nga Gazeta ‘SI’ –Komisioni Europian ka publikuar raportin “Sundimi i Ligjit” për Shqipërinë, ku prek dhe problemin e tregut mediatik.
KE shpreh shqetësim për pavarësinë e AMA-s, Autoriteti Rregullator të Medias Audio-Vizual, për shkak të formulës dypartiake për zgjedhjen e anëtarëve të bordit dhe përkatësisë së tyre politike. Kjo ka hapësirë për të pasur ndikim politik në institucion dhe ka lejuar të mso zbatohet kodi i Transmetimit në mediat që shfaqin kryesisht përmbajtje politike e regjistruar paraprakisht nga qeveria ose partitë politike.
Shqetësimet në lidhje me pavarësinë e transmetuesit publik janë rritur, ku përmenden dhe parregullsitë procedurale në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të ri në janar 2025. Sipas raportit këto parregullsi dëmtuan më tej parimet e përzgjedhjes bazuar në meritë dhe pavarësisë së RTSH.
Në raport thuhet se përqendrimi i lartë i pronësisë së medias vazhdon të ndikojë negativisht në pavarësinë e medias, ku thuhet më tej se depërtimi në tregun mediatik nga grupe biznesi të profilit të lartë me lidhje politike mbetet gjithashtu një shqetësim serioz.
“Mangësitë në aspektin e ndarjes së drejtë të reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore, si dhe të drejtës për akses në informacion mbeten. Sulmet verbale dhe fizike, fushatat e shpifjes dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike që synojnë gazetarët janë një shkak i vazhdueshëm shqetësimi dhe vetërregullimi mbetet i dobët”, thuhet ndër të tjera.
Platforma e Këshillit të Europës për të promovuar mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve ka publikuar pesë alarme që nga korriku 2024, në lidhje me kërcënime, një fushatë shpifjesh dhe sulme fizike që synojnë gazetarët dhe ndjekjen penale të gazetarëve. Projekti i Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias raporton 42 alarme që nga korriku 2024, të përbërë nga 8 ‘sulme fizike’, 32 ‘sulme verbale’, 1 ‘sulm ndaj pronës’, 3 ‘incidente ligjore’ dhe 12 ‘ndërhyrje. Siguria e kufizuar në punë dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët, të kombinuara me vetëcensurë, presionin nga aktorët politikë dhe pronarët e mediave, vazhdojnë të paraqesin sfida serioze për median. Për këto arsye, MPM 2025 e rriti më tej treguesin e rrezikut në zonë në rrezik të mesëm deri të lartë.
KE përmend edhe kufizimin e aksesit në informacion. Autoritetet publike vazhdojnë praktikën e mbajtjes së informacionit bazuar në referenca të përgjithshme për “interesin publik”, i cili ende nuk është përcaktuar qartë, duke u dhënë kështu institucioneve publike diskrecion të konsiderueshëm për të kufizuar ose mohuar ligjërisht aksesin në informacion, bazuar në vëllimin e madh të kërkesave për informacion, çështjet e të drejtave të autorit dhe klauzolat e konfidencialitetit në kontratat publike. Kjo i prek gazetarët në një mënyrë disproporcionale, pasi ata paraqesin shumicën e kërkesave për informacion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



