Taksa

Tatimet ‘luftë’ edhe me shitësit e fruta-perimeve: Lëshoni fatura!

Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore ka zgjeruar më tej inspektimet duke prekur edhe tregun e produkteve bujqësore e blegtorale.

Në një njoftim publik, Tatimet thonë se do të nisin një monitorim në terren për të verifikuar nëse produktet bujqësore dhe blegtorale shoqërohen me faturë të fiskalizuar. Mungesa e faturave të fiskalizuara do të sjellë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.

“Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në sektorin e tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë, se ka ndërmarrë një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese, me qëllim formalizimin e tregut, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit”, thuhet në njoftim.

Nisma e Tatimeve kundër evazionit nisi me subjektet turistike, ku i kërkoi atyre të shprehin në faturë të gjitha shërbimet dhe detajet, që nga netëqëndrimet tek shezlloni. Fushata nisi në fillim të sezonit veror, pak javë pas premtimit të qeverisë për “paqe fiskale” dhe reduktim të kontrolleve për bizneset.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë