Ne rrjet

Prapaskenat e fotos ikonike të Sofia Loren dhe Jayne Mansfield

Nga Gazeta “SI”– Në mbrëmjen e darkës “Welcome to Hollywood” të Sophia Loren në prill 1957, Jayne Mansfield hyri në restorantin ekskluziv “Romanoff’s” në Beverly Hills me një plan. Festa luksoze e organizuar nga Paramount Studios ishte e mbushur me disa nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it të asaj kohe, nga Barbara Stanwyck dhe Montgomery Clift, te Gary Cooper dhe Shelley Winters. Por një fotografi e kapur natyrshëm e Mansfield dhe Loren do t’i siguronte asaj mbrëmjeje një vend të paharrueshëm në historinë e Hollywood-it.

Sipas Eve Golden, autore e librit Jayne Mansfield: The Girl Couldn’t Help It, Mansfield dëshironte që të gjithe sytë të ishin mbi të. E lidhur me një kontratë shtatëvjeçare nga Warner Bros në shkurt 1955, atëherë 24-vjeçarja bjonde dhe ish-Playmate e Playboy-it shihej si konkurrente e Marilyn Monroe, e cila po “shkaktonte probleme” për 20th Century Fox, thotë Golden për BBC-në. Filmat The Girl Can’t Help It (1956) dhe Will Success Spoil Rock Hunter? (1957), të cilët u publikuan vetëm tetë muaj larg njëri-tjetrit, e ngritën shpejt Mansfield-in në statusin e yllit.

Ajo u afrua me hapat e saj të qetë dhe u ul pikërisht pranë Sophia Loren… Jayne e dinte shumë mirë çfarë po bënte.

Sophia Loren ishte vetëm 22 vjeçe kur mbërriti në Hollywood. E lindur dhe rritur në Itali nën regjimin fashist të Mussolinit, nëna e Loren-it kishte “ambicie të saj teatrale”, thotë Mary Ann McDonald Carolan, autore e librit The Transatlantic Gaze: Italian Cinema, American Film.

Jayne Mansfield

Loren mori pjesë në konkurse bukurie si adoleshente, ku takoi të ardhurin e saj, producentin e filmit Carlo Ponti, para se të regjistrohej në shkollën kombëtare të filmit në Itali. Ponti prodhoi shumë nga filmat e saj të parë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Italia ishte e mbushur me produksione të Hollywood-it, pasi studio-t shfrytëzonin kostot më të ulëta të prodhimit atje.

“Në atë kohë kishte një shkëmbim të jashtëzakonshëm artistik, ekonomik, biznesi dhe kinematografik midis Italisë dhe Amerikës,” thotë Carolan për BBC-në.

Pas suksesit të Aida në 1953 dhe The Gold of Naples në 1954, të shfaqura në Festivalin e Filmit në Kanë, Paramount nënshkroi me Loren, duke vënë bast se ajo do të ndiqte gjurmët e yjeve evropiane si Leslie Caron, Ingrid Bergman dhe Marlene Dietrich.

Fotografia e vitit 1957 e Sophia Loren dhe Jayne Mansfield është një nga më ikoniket në historinë e Hollywood-it (Foto: Alamy)

Në prill 1957, erdhi koha që Loren të bënte debutimin e saj mes elitës së Hollywood-it në Romanoff’s, ku Mansfield ishte e fundit që hyri. Ajo hyri e mbuluar me një “pellush të madh prej lëkure”, thotë Golden. Kur e hoqi pallton, ajo mbante një fustan prej sateni pa shpinë dhe me një dekolte shumë të thellë, që e dinte se do të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve në dhomë, sidomos fotografëve.

“Ajo u afrua me hapat e saj të qetë dhe u ul pikërisht pranë Sophia Loren,” thotë Golden. “Ishte patjetër e planifikuar. Jane e dinte shumë mirë çfarë po bënte.” Fotografët Delmar Watson dhe Joe Shere e kapën Loren dhe Mansfield pranë njëra-tjetrës. Por ndërsa Mansfield shikonte drejt aparatit të fotografisë, Loren u kap duke hedhur njërën nga shikimet më të famshme anësore në historinë e Hollywood-it, duke i hedhur një shikim “të ftohtë” dekoltesë së bashkëbisedueses së saj.

Gjashtëdhjetë e tetë vjet më vonë, kjo mbetet një nga fotografitë më ikonike të Hollywood-it. Heidi Klum, Anna Nicole Smith, Sydney Sweeney dhe Maude Apatow, Sophia Vergara dhe Julie Bowen e kanë riprodhuar më vonë këtë foto. Ajo ka mbijetuar sepse paraqet Loren dhe Mansfield si dy pole të kundërta. Imazhi simbolizon elegancën kundrejt bombastikes ; Evropën kundrejt Amerikës; brunen kundrejt bjondes.

“Është pothuajse sikur janë veshur qëllimisht për të theksuar kontrastin,” thotë Carolan.

Trashëgimia e gjatë e fotografisë

Megjithatë, ka pasoja shqetësuese që lidhen me përhapjen e gjatë të kësaj fotografie. Ajo nxjerr në pah prirjen e medias për të ekzagjeruar rivalitetin mes grave, duke ushqyer stereotipin e dëmshëm se gratë janë gjithmonë në konkurrencë me njëra-tjetrën. Në realitet, kjo ishte hera e vetme që ato u takuan, dhe Loren ndoshta ishte e shqetësuar se Mansfield po rrezikonte një rrëzim garderobe para medias. Në një intervistë për Entertainment Weekly në 2014, Loren kujtoi: “Shiko fotografinë. Ku janë sytë e mi? Unë po shikoj thithkat e saj sepse kam frikë se do të më bien në pjatë. Në fytyrën time shihet frika. Jam shumë e trembur që gjithçka në fustanin e saj do të shpërthejë – bum! – dhe do të derdhet mbi tavolinë.”

Sophie Loren

Ky moment do të ishte i vetmi ku karrierat e tyre u kryqëzuan, sepse ndërsa ylli i Loren-it po ngrihej, ai i Mansfield po binte. Në 1960, Loren fitoi Oskar për aktoren më të mirë për filmin Two Women, duke u bërë aktorja e parë që fitonte një çmim Akademie për një rol në gjuhë të huaj. Ndërkohë, skena e Mansfield në festën e Loren-it u prit keq nga 20th Century Fox.

“Kjo ishte pika ku ata kuptuan se kishin nënshkruar me një ‘armë të lirë’,” thotë Golden. “Mendoj se ky është momenti kur Fox ndaloi së investuari në karrierën e saj.”

Burimi : BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë