Kinema

Plaku dhe Pushka – Robert Redford në shkëlqimin e fundit

Gjithnjë kam menduar se Robert Redford ka qenë një aktor i nënvlerësuar, qasja minimale dhe e thjeshtë e të cilit, ka lënë në hije cilësinë e punës së tij. Që prej suksesit me mikun e tij, Paul Newman në “Butch Cassidy dhe Sundance Kid”, në fund të viteve ’60, Redford mbetet një prej meshkujve kryesorë të Hollivudit, duke shfaqur atë lloj natyrshmërie të pakrekosur që nuk fiton Oscar, por shërben për një qëllim më të madh të filmit. Në një karrierë mbi 60 vjeçare, (është 82 vjeç) , mbushur me performanca të jashtëzakonshme, ai është kandiduar për “Oscar”, si aktor, vetëm njëherë, për filmin “Sting” dhe nuk ka fituar kurrë. Ai meriton një tjetër kandidim për këtë film të fundit – mendohet se me të, Redford mbyll edhe karrierën e tij –në një bashkëpunim jehues me regjisorin dhe skenaristin David Lowery.


Lowery është mes zërave më origjinalë në industrinë amerikane të filmit dhe në filmin e tij të fundit, “Një histori fantazme”,Casey Affleck interpretonte një burrë që, vdes në një aksident rrugor, kthehet për të përndjekur të shoqen dhe sheh i tmerruar, sesi ajo vazhdon jetën dhe shtëpia e tyre kthehet në një bllok zyrash. Lowery dhe Redford punuan për herë të parë bashkë në filmin magjepsës për fëmijë, më 2016-ën “Pete’s Dragon”, (Dragoi i Pitit) dhe tek “The Old Man & the Gun” (Plaku dhe pushka), aktori veteran ndërmerr një rol antiheroik, me reminishencë të Sundance Kid.

Sissey Spacek dhe Robert Redford në, The Old Man & the Gun”.

Forrest Tucker (Redford) është një kriminel karriere, që vjedh banka me stil dallues, që prej adoleshencës dhe ka inskenuar arratisje të guximshme, thuajse nga çdo burg ku ka qenë i mbyllur. Është viti 1981 dhe ai është në mes të të shtatëdhjetave, por pasioni për grabitjet e bankave nuk ndalet dhe, me ndihmën e dy “kolegëve”, Forrest ndërmerr një aventurë ambicioze, duke nisur nga Teksasi për t’u përhapur më tej në të gjithë vendin. Teddy (Danny Glover) bën shoferin, Waller (Tom Waits) është ai që bën rojë, ndërsa Tucker merret me grabitjen dhe, i bën aq me delikatesë! I veshur me kostum në blu saks, një kapelë republike dhe mustaqe të rreme, ai ecën qetë mes degëve të përgjumura, buzëqesh ngrohtë dhe kërkon të shohë menaxherin. Ai u rrëfen, qetë, punën e tij dhe, megjithëse askush nuk duket se sheh një të tillë, pretendon se ka armë me vete. Grabitjet bëhen në qetësi dhe me efikasitet dhe Tucker thuajse nuk e ngre kurrë zërin ndaj viktimave të tij, që më pas e përshkruajnë atë si “një burrë zotni!”


Kur një detektiv policie nga Teksasi, i quajtur John Hunt (Casey Affleck) vëren se këto krime formojnë një model, ai i pagëzon keqbërësit si “Banda mbi Kodër” dhe magjepset pas liderit të tyre karizmatik. Dy burrat janë dy pole të kundërt, Hunt një polic i ngadaltë dhe një burrë familjeje, Tucker një bredharak pa rrënjë për të cilin, jeta e shtruar do të përfaqësonte tmerrin e fundmë. Ai shfaqet, megjithatë, të luajë me këtë fakt ndërsa flirton me Jewel, (Sissy Spacek), një vejushë që ka në pronësi të saj një fermë e që duhet ta dijë mirë të mos presë një gjë të tillë nga një burrë si Tucker. Hunt është në gjueti, Tucker grabit dhe plaku duket se e shijon ndjekjen po aq sa grabitjet. Ai duket shumë i lumtur kur nxjerr nga një bankë një çantë plot me para, ose kur i bie përqark vendit duke u ndjekur nga një re sirenash të ndezura. Dhe megjithëse filmi është i bazuar pjesërisht në një histori të vërtetë, personazhi i Redford-it duket mitik, pjesë e radhës së gjatë të keqbërësve amerikanë, që i hodhën një vështrim të fundit jetës së qetë, dolën në rrugë dhe nisën arratisjen e gjithhershme.

Roli është aq i përshtatshëm për aktorin sa është e vështirë të besohet se Lowery nuk e ka shkruar duke pasur atë ndërmend: ai luan me pikat e tij të forta, lufton ndrojtur ndaj aq shumë hollësive apo të vërtetave të turbullta dhe i lejon personazhit të endet si një fantazmë lakonike, përgjatë historisë së tij. Filmi është xhiruar për t’u ndjerë si një film i epokës dhe është i bërë aq bukur, aq qetë, sa duket se ka referenca të vazhdueshme të karrierës së Redford-it. Ka klipe ngacmuese të filmave të hershëm dhe fotografi të të riut Tucker, që e shfaq aktorin në fillimet e tij. Madje e shohim mbi një kalë, një çast nostalgjik që evokon Sundance-in dhe nënvizon faktin e trishtë se, edhe në vitet ’80, Tucker është një anakronizëm. Redford është i mrekullueshëm në rolin e tij iluziv: mënyra e tij e lehtë me komedinë është të nxjerrë në pah, hirin e tij fizik, dukshëm të pacenuar prej moshës. Nga largësia, flokët e tij të dendur të kuqërremë, që valëviten nga flladi, e bëjnë ta parafytyrosh të ri dhe harron se po perëndon: pastaj me një psherëtimë melankolie, kujtohesh se në fakt është drejt perëndimit.
*Paul Whitington/ The Indipendent


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë