Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pommpeo, i ka telefonuar ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dy ditë pas vendimit të Tiranës zyrtare për të dëbuar ambasadorin Iranian dhe një diplomat tjetër.
Në një postim në mediat sociale, Bushati ka bërë me dije se ai ka pasur një telefonatë me Pompeon, ku shkruan se e kishte falënderuar për vendimin që kishte marrë qeveria shqiptare.
“Sapo pata një telefonatë me Sekretarin e Shtetit Pompeo, i cili falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për lidershipin në marrjen e vendimit kundrejt praktikës diplomatike të papranueshme. Nënvizova se Shqipëria po bashkon forcat me ato të vendeve të tjera evropiane për të mbrojtur sigurinë evropiane kundër të gjitha veprimtarive keqdashëse të pushteteve të tjera“, shkruan Bushati.
Dëbimi i ambasadorit të Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia dhe të shefit të Inteligjencës pranë kësaj përfaqësie diplomatike nga Shqipëria dhe shpallja e tyre si persona “non grata” lidhet me parandalimin e dy sulmeve terroriste.
Bëhet fjalë për dy sulme terroriste, të cilat janë parandaluar në mars dhe në muajin prill, për të cilat u ndaluan dy shtetas iranianë të dyshimtë dhe që më pas u dëbuan nga autoritetet shqiptare.
Pikërisht hyrja e këtyre dy shtetasve në territorin e Republikës së Shqipërisë ka bërë që të ngrihen dyshime mbi përfaqësinë diplomatike iraniane, e cila mund t’i ketë ndihmuar dy të dëbuarit e muajit mars që të vendosen në Tiranë me pasaporta diplomatike.
Vendimi i Shqipërisë është përshëndetur jo vetëm nga autoritetet amerikane, përfshirë dhe presidentin Trump, por edhe nga kryeministri izraelit Netanjahu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




