Para diskutimit për ligjin e Vettingut në politikë, kreu grupit socialist Taulant Balla dhe kryedemokrati Lulzim Basha janë përfshirë në akuza dhe debate të forta me njëri-tjetrin, aq sa kanë kaluar edhe kufijtë e etikës.
Gjithçka nisi kur Balla e akuzoi Bashën se ka lidhje të forta me kompaninë “Viktoria Invest”, e cila ka fituar një nga tenderët tek “Unaza e re”.
“Kjo është dosja e makinës, këtu në dosje thotë se kjo makinë është e Viktoria Invest, makinë me të cilën ti shkon tek banorët e Astirit. Po mirë, bufa na quan ne që nuk e dimë lidhjen tënde me Viktoria Invest, kompania është kumbare e familjes tënde!! Është dita e të vërtetës, kalojmë tek kompania tjetërm vijoi deputeti socialist. – Ti ke një problem shumë të madh, se nuk do të ngresh Partinë Demokratike, kam hall se dhe këtij Edmond Begos mos i merr ndonjë kat, se t’i vetëm gjoba u vendos. Ajo që është shumë e rëndësishme dhe i bëj thirrje PD-së që të heqë dorë nga kjo histori. Mos shko më me makinën e firmës se një banorë më tha që u dukesh si menaxher i saj . Ngrije kokën ngrije”, tha Balla.
Kreu i Partisë Demokratike, Basha, i është përgjigjur akuzave, duke thënë se makina e tij është e një kompanie tjetër dhe jo e “Viktoria Invest”, teksa shtoi se mund ta kishte qëlluar me grusht Ballën për akuzat e bëra.
“Instinkti i parë është instinkti i prindit dhe unë doja të të fusja një grusht, por u ndala nga dy gjëra: e para e punës që të prekësh mutin bëhesh vet pis. Nuk e do Balla vettingun se është i pari që e kap vettingu. Gjetët simbolin e atij që nuk e do vettingun për t’u thënë shqiptarëve që jeni kundër, – deklaroi Basha me tone të larta. – Sot ndahet shapi nga sheqeri, do të shikojmë se kush e do dhe kush nuk e do vettingun”.
Sipas Bashës, “shqiptarët pas kësaj do marrin vendime të mëdha, pasi ky Parlament e humbi shansin për të pastruar politikën, tani u mbetet shqiptarëve ta bëjnë një gjë të tillë. Automjeti im është prej 6 vitesh i një kompanie tjetër, por unë nuk merrem me ty se je njëherë i dënuar për shpifje”, u shpreh Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




