Nisma e opozitës “Për Vettingun në Politikë” që konsiston në ndryshimin e Kushtetutës ka rikthyer në Parlament akuzat për lidhje e politikës me krimin. Në këtë seancë ishin parashikuar 39 diskutime deputetësh dhe në total 410 minuta kohë vetëm këtë çështje. Seanca maratonë e ditës së sotme, ndryshe nga ajo e një ditë më parë ishte më e qetë, e kjo dukej se u ndikua se në sallë mungonte kryeministri Edi Rama, si dhe një pjesë e mirë e ministrave, të cilët kanë preferuar siç duket të shmangin përballjen me opozitën.
Gjatë diskutimeve demokratët kanë theksuar se Komisioni i Venecias ka pranuar faktin e lidhjes së politikanëve me krimin, duke kërkuar miratimin e nismës së paraqitur nga PD-ja së bashku me LSI-në. Por nga ana e mazhorancës kjo nismë duhet të rrëzohet sepse ajo synon të sulmojë reformën në drejtësi, si dhe lidhjet e politikanëve me krimin është një çështje që do t’i përkasë organeve të reja të drejtësisë, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme, e njohur ndryshe si SPAK.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, sa i përket vettingut në politikë hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama se u ka hapur dyert e institucioneve kriminelëve. Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Bylykbashi tha se me amendamentet e propozuara prej opozitës mbyllet hapësira për të anashkaluar ligjin për Dekriminalizimin.
“Futja e mekanizmit të vettingut është legjitim dhe Komisioni i Venecias ka dhënë dritën jeshile. Për dritën jeshile nuk mund të keni diskutim. Komisioni i Venecias udhëzon fare qartë se çfarë duhet bërë. Nuk mund t’u bëhet vetting vetëm gjyqtarëve dhe ju të bëni çfarë të doni. Pra, Komisioni i Venecias është shumë i qartë. Ju nuk doni ta dëgjoni. Me amendamentet e propozuara mbyllet hapësira, me të cilën ju menduat se mund të anashkaloni ligjin për dekriminalizimin. E keqja më e madhe janë drejtuesit e grupit parlamentar, me në krye Edi Ramën që i hapi portën nga brenda institucioneve demokratike, duke u lejuar kriminelëve të penetrojnë. Sepse Rama e ka dizenjuar këtë plan për t’i futur brenda. Ata i sjellin votat”, shprehet Bylykbashi.
Amendamentet e PD-së për vetingun në politikë, sipas deputetes Emonela Felaj sfidojnë direkt dhe indirekt veprimin dhe kompetencën e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të vetojnë çdo politikan dhe zyrtar të lartë. Felaj tha se “luftën me krimin e organizuar opozita zgjodhi ta bëjë nga hotele elegante”. “Opozita filloi betejën me pam-pame dhe kjo betejë nuk ishte gjë tjetër veçse një flluskë sapuni që sosi sa u ngrit në ajër”, tha Felaj. Sa i takon vettingut në politikë, deputetja socialiste tha se “Komisioni i Venecias iu përgjigj shumë qartë tekstit të propozuar nga opozita, duke nënvizuar se propozimi i këtij lloj Vettingu ka mungesë të qartë të sigurisë ligjore”.

Politika nuk mund t’i bëjë veting vetvetes, tha Felaj, duke shtuar se “vetingun politikës ia bën populli përmes mekanizmit të zgjedhjeve.
Kryemadhi akuza Ramës, Berisha thirrje për luftë
Por edhe pse mungonte në sallë, kryeministri Edi Rama ka qenë personi që është sulmuar me akuza shumë të ashpra nga ana e opozitës. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi lëshoi akuza të forta ndaj Ramës dhe një pjesë të ministrave si të lidhur me krimin e organizuar. “Si mund të pranojë Damian Gjiknuri Vettingun politik, kur duhet të japi përgjegjësi për falsifikimin e firmës së Sekretarit të Shtetit që u ngrit një off shore, vetëm për të marrë vetëm 18 milion euro në një lot, pa llogaritur sa e sa të tjera. Si mund të pranojë Arben Ahmetaj Vetting politik, kur futemi në një strukturë shumë të shëmtuar falsifikatore, siç është ajo e rastit të djeshëm, për të hequr nga xhepat e oligarkëve miliona dhe miliona euro, të cilat janë të depozituara në 5 vitet e qeverisjes së Edi Ramës?! Dhe një ditë të bukur me diell, në prag të Krishtlindjeve i bën një dhuratë të jashtëzakonshme, ku iu thotë unë nuk kam 40 milion euro për studentët që t’u rregulloj kushtet, por kam mbi 300 milion euro që do ua fali 5 oligarkëve. Pra 5 veta janë të barabartë sa 140 mijë studentë herë 5 herë. Kjo është ajo çfarë përfaqëson kjo qeveri”, theksoi Kryemadhi.
Akuzat më e madhe në adresë kryeministrit ishin për kapjen e bandave, por dhe si një përdorues i lëndëve narkotike. “ Si mund të pranojë Edi Rama Vetting në politikë, kur problemin e parë e ka me bashkëshorten e tij që drejton një Bankë dhe një offshore që s’dihet se paratë e kujt janë dhe paratë e kujt lëvizin?! Si mund të pranojë Edi Rama Vetting në politikë, kur problemin më të madh e ka me vëllain e tij?! Në fakt unë do të dëshiroja që këtij Vetting-ut në politikë t’i shtonim edhe atë analizën e drogës, t’ja marrin njëherë atë analizën e gjakut, se e meriton ai dhe ta shikojmë. Sepse një kryeministër që drogohet është peng i spaçatorëve. Mirë dje na kishte ardhur me antiplumb, por problemi është që ai njeri është edhe peng i mallit që i shesin, se varet se çfarë malli i shesin. Në Vetting ne duhet të shtojmë edhe kartelën shëndetësore, çfarë përfaqëson ky njeri, nga se vuan. Prej 20 vitesh i është fshehur kartela e tij mjekësore nga zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakaçolli. Nuk po merrem me burrin e Mirës, doktor Perlatin se ai e kuron nga azma dhe i them mos pi mall se të bën shumë keq për azmën dhe ia thotë kjo doktoresha këtu. Që të ketë mundësi dhe frymë që të përballet këtu, por nuk mund ta pranojë dot ai këtë gjë. Nuk mund ta pranojë këtë gjë, sepse ai kërkon që të gjithë shqiptarët t’i fusi në vorbullën e vet”, theksoi Kryemadhi.
Ish-kryeministri Sali Berisha do të kërkonte miratimin e ligjit të Vettingut, pasi në të kundërt do të kishte thirrje për rrëmbim armësh. “Palo burra, palo kriminelë.., pse ju nuk pranoni amendamentin? Pranoni dhe të ulemi mes nesh të marrim dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe ta bëjmë model për mbarë rajonin, por ju nuk e donin. Ose miratoni amendamentin ose përndryshe në rrugët e qytetit do ushtojë: ‘O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri”, u shpreh Berisha në foltoren e Kuvendit.

Ai do ta bënte dy herë një deklaratë të tillë, aq sa detyroi që kryeparlamentari Ruçi t’i kërkonte grupeve parlamentare që të distancoheshin nga këto thirrje. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi ndërprerjen e seancës për 10 minuta, me qëllim që të përpilohej kërkesa për mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për ndëshkimin e Berishës. “Kjo është thirrje antikushtetuese, e këto janë të jashtëligjshme e kur këto bëhen në foltoren e Kuvendit, që bëjnë thirrje për rrëzimin kushtetues. PS kërkon dhjetë minuta pushim për të diskutuar me grupin parlamentar nëse do të kërkojmë përjashtimin e Berishës”, u shpreh Balla. Me rifillimin e seancës u njoftua se kërkesa për përjashtimin e Berishës iu nis Byrosë së Parlamentit. Ndërkohë, ministri për Diasporën, Pandeli Majko, e ka quajtur qesharak vettingun në politikë dhe ka deklaruar votën e tij kundër, ndërsa i ka bërë apel opozitës të merren me studentët, pasi nuk janë kundërshtarë, por shpëtimi.
Basha: Vettingu do të realizohet, ja kush preket
Kryedemokrati Lulzim Basha ka marrë fjalën i fundit, duke folur në emër të grupit parlamentar të PD-së. “Nën sloganin e bashkimit ë të gjithë qelbësirave për të marrë pushtetin me dhunë. Kjo nuk është retorikë, por është e vërteta. Fatura që po paguajmë sot është para jush, është në tavolinat dhe në xhepat tuaj. Sot gjysma e shqiptarëve duhet ë largohen. Për dy vite Rama i rezistuar projektit të dekriminalizimit, me miratimin e këtij projekti kjo sallë u çliruar jo nga pak njerëz. Marrëdhëniet e krimit me Ramën u sofistikuan. Sot krimi është qeveria e vërtetë, ata qeverisin. Kjo është marrëdhënia e Ramës me krimin. Sot opozita do të votojë amendamentet kushtetuese, që do të jetë njësoj si vepruam pak vite më parë”, theksoi Basha. Kryedemorkati më tej lexoi me emra politikanësh që sipas tij janë të lidhur me bandat.

“Sot kemi vetting për policët, për gjyqtarët dhe prokurorëve, asnjë ndryshim nuk do ketë as për politikanët. Sot nga kjo sallë një vetting do të bëhet, sot nga kjo sallë do të kuptohet se cilët kanë frikë që tii nënshtrohet kontrolli. Kemi një deputet Ergys Çyrbja që është konfirmuar që është pjesë e bandave. Kemi Fatmir Xhafajn që ndihmoi vëllain e tij. Kemi atë që do të flas pas meje që ka thënë se ka një mik trafikant. Kemi Alket Hysenin që ka rrëmbyer toka në Dhërmi. Kemi Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin, kemi Dakon e 339. Kemi Saimir Habilajn dhe natyrisht kreun e kësaj pune Edi Ramën”, theksoi Basha. Ai rrëzoi dhe pretendimet e ministres së Drejtëisë, Etilda Gjonaj se nisma e opozitës është antikushtetuese dhe se bie ndesh me reformën në drejtësi, duke ftuar që këtë nismë ta zgjidhin ashtu siç kërkon Komisioni i Venecias me konsensus dhe dialog mes mazhorancës dhe opozitës.
Balla sulmon Bashën: Makina jote, pronë e firmës Viktoria
Në emër të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se “Luli nuk merret me pasurinë e politikanëve, por nuk merret me politikanët që realisht kanë lidhje me krimin”. Për mazhorancën “Vettingun në politikë do të realizohet nga procesi i zgjedhjeve dhe nga organet e reja të drejtësisë si SPAK apo dhe Byroja Kombëtare të Hetimit”. Ndërsa Balla ka nisur t’ia kthejë akuzat për lidhjet me krimin, Bashës me të njëjtin monedhë.

“Kam këtu një dosje që na kanë sjellë banorët e zonës së Astirit dhe na thotë se Lulzim Basha na vjen me makinën pronarit të firmës që po ndërton Unazën e Re, me targën AA119 EN. Është makina që shkon përditë në protestën te Astriti, Lulzim. Makina është në pronësi të Viktoria Invest që ka fituar një prej tre loteve të Unazës, ja ku e ke me vlerë mbi 50 mijë euro. Kompania, është e kumbarllekëut të familjes tënde. Kalojmë të kompania tjetër, s’të dëgjobva të flasësh për oligarkët ka dëshirë ti, i marrim një e për një, me të cilët ti ke lidhje. Si ka mundësi që me hotelin tenderove me 1 mijë, që nuk do të ngrihet holli, ti ke një problem shumë të madh, ti nuk e ke hallin se si do të ngrihet PD përditë. Kam dyshimet e mia se edhe këtij Edmond Begos kam hall se mos kërkon t’i marrësh ndonjë kat. Ajo që është shumë e rëndësishme i bëj thirrje PD të heqë dorë nga e gjithë kjo histori”, theksoi Balla.
Ndërsa ka akuzuar për lidhjen me biznesmenin turk, Alptekin biznesmeni që kërkohet nga SHBA, duke shtuar se “ti je kumbari i tij në dasëm. Mos harro se i ke dhënë ca dollarë atij”.
Ndërsa ka theksuar se “Basha me këtë harron që të fusë në hetim kunatin, vjehrrin, vëllain e tij për lidhjet me pasuritë”.
Por kryedemokrati ka replikuar menjëherë ndaj akuzave për makinën e tij, duke theksuar se është një shpifje. “Shifje totale, automjeti im është kompania Mektrin se nuk është e ndonjë oligarku, gjashtë vjet është marrë e blerë, ore mashtrues i certifikuar”, u shpreh Basha.
Ndërsa theksoi se PS-ja zgjodhi njeriun e gabuar për të mbrojtur Vettingun, si Balla, pasi ai akuzohet për lidhjen me biznesmenin Edmond Begon, për të cilin opozita e cilëson si të lidhur me krimin e organizuar.
“Instikti i parë është ai i prindërit, do të fusja një grusht, këtu, por që të prekësh mutin bëhesh vetë pis. E dyta këta nuk arrijnë dot ti thojnë qytetarëve se pse nuk e duan vettingun në politikë. Ne nuk ndërhyjmë fare me reformën në drejtësi, as nuk e ngadalëson as nuk e përjashton, vettingu është me i madh se hetimi, se ai i largon ato politikanë për sa kohë i verifikon lidhjet me krimin. Ky thotë na lini në politikë derisa të krijohet SPAKU. S’ka kovë me mut si parafolësi që ta ndryshojë, o doni këtë vetting që të pastroni nga kova ose nga kryekova, ose jo. Nuk e do Balla, sepse është i pari që digjet nga kjo, sepse ka kontakte me krimin e organizuar me mikun e tij Begon”, theksoi Basha.
Ndërsa Berisha duke përfituar nga prezenca e Ramës në seancë, u shpreh se “Ky të mos mbajë antiplumb kur vjen këtu. E dyta shërbimet të mbajnë dedorant kur del këtu në sallë”.
Pas këtyre diskutimeve kryeparlamentari Gramoz Rucci hodhi për votimin nismën e opozitës për Vettingun në Politikë. Me 74 vota kundër dhe 52 vota pro është rrëzuar nisma e PD-së dhe LSI-së për ndryshimin e Kushtetutës. Kjo ishte dhe seanca e fundit për këtë vit, e cila u mbyll me akuza dhe kundër akuza sa i përket lidhjes së politikës me krimin.

Raporti final i Venecias
Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin prej 20 faqesh mbi nismën e opozitës në Vettingun në politikë. “Në një opinion të miratuar sot, Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit (“Komisioni i Venecias”) konstaton se projektligji për amendimet e kushtetuese që mundësojnë verifikimin e politikanëve në Shqipëri, duke përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të tyre me krimin e organizuar, nuk ofrojnë udhëzime dhe masa mbrojtëse të përshtatshme për një proces të tillë të ndjeshëm dhe mund të çojë lehtësisht në abuzim me pushtetin”.
Gjithashtu theksohet se duke pranuar synimin legjitim për të eliminuar lidhjet e kriminelëve dhe ndikimin e tyre në qeveri dhe jetën politike, Komisioni i Venecias shpreh shqetësimin për mungesën e qartësisë dhe sigurisë juridike lidhur me fushëveprimin dhe zbatimin e procedurës së propozuar të verifikimit që mund të shkaktojë implikime të rënda lidhur për të drejtat e atyre që janë subjektet këtij ligji.
“Nuk është e qartë se kush do të jetë përgjegjës për verifikimin dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose i pavarur. Nuk ka qartësi ligjore nëse skualifikimi duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar dhe nuk garanton siguri që procesi nuk do të përdoret politikisht në mënyrë të njëanshëm, ose arbitrar. Sipas ekspertëve konstitucional të Këshillit të Europës, propozimi në shumë mënyra gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit”, thuhet në Opinionin e Komisionit të Venecias.

Gjithashtu në këtë Opinion ngrihen edhe disa pikëpyetje në lidhje me mënyrën e përcaktimit të atyre personave (zyrtarëve) të lidhur me krimin.
“Projektligji gjithashtu nuk arrin të përcaktojë disa elementë kryesorë, si: çfarë nënkuptohet me kontakte me persona të caktuar; çfarë nënkuptohet me i përfshirë në krimin e organizuar; dhe çfarë nënkuptohet duke u përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personat e dyshimtë”, thuhet në këtë raport të konstitucionalistëve të Venecias
Sa i përket zyrtarëve të zgjedhur, Komisioni i Venecias e gjen propozimin e opozitës si në kundërshtim me të Konventën për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe me Kodin e Praktikave të Mira të Çështjeve Zgjedhore. “Kjo sepse Vettingu i bazuar në qoftë se dikush ka kontakte me personat e përfshirë në krimin e organizuar mund të përdoret lehtësisht për të kufizuar të drejtën për zgjedhje të lira, pavarësisht nga natyra e kontakteve. Nëse Vettingu ka për qëllim të aplikohet edhe për zyrtarët e pazgjedhur, Opinioni thekson se paqartësitë rreth qëllimit dhe zbatimit të tij e bëjnë të vështirë garantimin e të Drejtave, sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në raport.
Më tej theksohet se “Për më tepër, duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / a të Kushtetutës Shqiptare dhe legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligjin e Dekriminalizimit), si dhe mekanizmave të tjerë demokratikë në dispozicion, vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje. Këto paqartësi gjithashtu e bëjnë të pamundur që Komisioni i Venecias të gjykojë nëse propozimi mund të konsiderohet një përgjigje proporcionale ndaj asaj që padyshim është një problem real në Shqipëri”.
Por në të njëjtën kohe Venecias kërkon që të ketë një dialog mes palëve për çështjen e nismës për ndryshimet kushtetuese.
“Duke pasur në konsideratë dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin në lidhje me mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme. Ndërsa është i gatshëm të ofrojë ndihmë të mëtejshme, Komisioni i Venecias thekson se hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet e propozuara kushtetuese duhet të merren në Parlament, nëpërmjet dialogut midis të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, mbyllet opinioni i Venecias.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




