Politike

Konferenca me kryeministren daneze, Rama: Për sigurinë, Europa s’duhet të priste Trump.

Nga Gazeta ‘SI’- Në një konferencë me kryeministren daneze Mette Frederiksen, duke folur për sigurinë e Europës, kryeministri Edi Rama ripërmendi nevojën që ka kontinenti për të rritur mbrojtjen.

Rama tha se për këtë nuk duhet të kishim pritur rikthimin e Donald Trump.

“Europa duhet të bëjë më shumë kur vjen fjala për mbrojtjen e saj dhe kur vjen fjala për të investuar në kapacitetet e saj të vetëmbrojtës. Nga ana tjetër, besoj se kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër lidhet me emrin e vetë Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili, kapaciteti për paqen e pamundur. BE është produkt i një ëndrre fëmijëve. Ka dhe një pikëpyetje, pse duhet pritur Donald Trump dhe të merrte në konsideratë paqen? Sepse ndoshta ishim të përqendruar ndaj një kauze të duhur, por humbëm terren kur vjen fjala për diplomaci. Jemi shumë socialist dhe nuk jemi socialistët më të mirë se fitojmë zgjedhjet, por ky është këndvështrimi”-u shpreh Rama.

Në konferencë u shtrua një tjetër pyetje me interes për vendin tonë. A u diskutua sot procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE?

“Nuk u martuam sot!“, ishte përgjigja me humor e Ramës, ndërsa Kryeministrja daneze Mette Frederiksen shtoi:

“Por shpresoj që po ecën përpara dhe e kuptojmë të gjithë se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë. Disa vende kanë bërë një punë vërtet të mirë dhe nga këndvështrimi europian ne duhet të jemi të gjithë bashkë. Ky proces varet nga meritokracia. Nuk ishte pjesë e rendit të ditës.”

Teksa Rama deklaroi se ky samit nuk ka të bëjë në thelb me procesin e zgjerimit, kujtoi fjalët që Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa tha dje lidhur me këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë