Dikur partnerë të pandarë në mbështetje të Kombëtares kuqezi, tashmë kundërshtarë të betuar ndaj njëri-tjetrit. Të paktën kështu pretendojnë anëtarët e fan club-it Tifozat Kuqezi (që ndryshe njihen si TKZ) për trajtimin që iu rezervon dhe raportin që kanë me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). Kur duhet më pak se një muaj nga ndeshja e shumëpritur ndaj Serbisë në “Arenën Kombëtare”, FSHF nxorri njoftimin për mënyrën e shitjes së biletave. Ata që duan ta shohin ndeshjen në stadium duhet të plotësojnë një formular elektronik.

Aplikimi nis nga nesër (15 Maj) dhe do të vazhdojë për dy javë. Në fund të muajit Maj, do të hidhet një short nga ku do të dalin fituesit e biletave (të cilët sigurisht që do të paguajnë cmimin përkatës). Përjashtim nga ky aplikim-short bëjnë anëtarët e fan club-it zyrtar të krijuar nga FSHF, “Tifozët e Kombëtares”. Sipas FSHF, këta tifozë e kanë të siguruar biletën e tyre dhe do të njoftohen nëpërmjet një email-i (njësoj si fituesit e shortit pas aplikimit). Deri këtu duket gjithcka normale, por anëtarët e TKZ akuzojnë FSHF për përjashtim, gjë që nuk ndodh për herë të parë (mgjs TKZ ka gjetur mënyra për tu futur në stadium).

Krisja përfundimtare ndodhi pas aplikimit të FSHF (dhe më pas miratimit nga UEFA) për bashkëorganizimin e U21 “Euro 2027” me Serbinë. Pankarta në stadiume, mungesa të deklaruara në mbështetje të Kombëtares dhe akuza publike në drejtim të FSHF dhe Presidentit Duka, ishin pjese e zëmërimit të TKZ që nuk miratuan asnjëherë një organizim të tillë, ku Shqipëria pritet të debutojë duke qënë vend organizator (kuqezinjtë e vegjël nuk kanë luajtur asnjëherë në finalet e evropianit të tyre). Ndërkohë portale shqiptare nga Zvicra botuan lajmin për përjashtim edhe të tifozëve dardanë nga kjo sfidë.

I menjëhershëm ishte reagimi i FSHF që përgënjeshtroi gjithcka dhe nëpërmjet një deklarate publike mohoi lajmin dhe kontaktoi portalin në fjalë për të përgënjeshtruar atë cka botoi online. Ndeshja Shqipëri-Serbi është e treta në fushatën eleminatore drejt botërorit amerikan. Kuqezinjtë u mundën 2-0 në “Wembley” (nga Anglia) dhe fituan 3-0 në Tiranë (ndaj Andorrës) ku për sjelljen e tifozëve, FSHF mori një dënim nga UEFA me mbylljen e 20% të kapacitetit të “Arenës Kombëtare” për sfidën e 7 Qershorit në kryeqytet.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.