Kur duhet të prezantojë dhe të diskutojë programin për 4 vitet e ardhshëm, kryeministri Edi Rama, flet me pasion vetëm për një pikë: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“Kemi në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në për t’i mbyllur negociatat për dy vitet e ardhshme dhe për herë të parë kemi në dorë mundësinë historike, mundësinë reale, që të hyjmë në BE, të hyjmë tani, brenda kësaj dekade, sepse yjet janë rreshtuar në favorin tonë”- thotë kryeministri, i cili e ka bërë këtë lejtmotovin e të gjithë fushatës.
Në emër të realizimit të këtij objektivi, kryeministri ka kërkuar një mandat më të fortë se mandati aktual, ku ka 74 mandate. Një mandat më i fortë përkthehet në 84 mandate, që do të bënin të mundur miratimin e disa ligjeve të rëndësishme pa opozitën, edhe pse PD s’është bërë ndonjëherë pengesë për ligjet e integrimit europian. Por, megjithëse, është fokusuar tek objektivi i anëtarësimit në BE, PS ka një program të detajuar për çdo fushë të qeverisjes, i prezantuar nga kryeministri Rama në hapje të fushatës elektorale.
PIKAT E PROGRAMIT PS
- Me hyrjen në BE, Shqipëria financohet nga BE me pak më shumë se 1 miliardë euro në vit. Nga këto 90% grant, 10% kredi. Vetëm për bujqësinë llogariten 300 milionë euro në vit fonde nga BE.
- Të ardhurat për frymë janë sot 10 342 euro. Në Shqipërinë 2030 të ardhurat për frymë do të jenë 15 mijë euro.
- Paga mesatare për vitin 2024 në sektorin publik u mbyll me 1 mijë euro, ndërsa në Shqipërinë 2030, do të jetë të paktën 1200 euro.
- Paga mesatare e sektorit publik dhe privat bashkë, pra paga mesatare në Republikën e Shqipërisë do të jetë të paktën 1 mijë euro.
- Duke filluar nga janari 2026, me një vendim që do të merret pas zgjedhjeve, kur do të bëhet edhe akti normativ i qershorit, paga minimale do të jetë 500 euro, nga 400 euro aktualisht.
- Prodhimi i Brendshëm Bruto, gjithçka që prodhon vendi, në Shqipëria 2030 do të jetë 35 miliardë euro nga 25 miliardë euro që është sot.
- Shqipëria 2030 do të ketë papunësinë në normën mesatare të BE, në 6% nga 9% që është sot.
- Nga 2013 deri në 2024, janë punësuar 304 mijë njerëz. Përmes një linje kredie 2 miliardë euro me Bankën e Shqipërisë dhe Bankën e Zhvillimit, si dhe 1 miliardë nga paketa Smart Albania, synohet gjenerimi i 100 mijë vendeve të reja të mirëpaguara pune dhe 8 miliardë euro plus në ekonomi.
- Në Shqipërinë 2030, pensioni mesatar të jetë 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota.
- Pensioni minimal për të gjithë të tjerët synohet të shkojë në 200 euro.
- Në mandatin e katërt do të mbetet i pandryshuar regjimi i taksës zero për biznesin e vogël deri më 140 mijë euro xhiro heqja e TVSH për xhiron deri në 100 mijë euro.
- I pandryshuar do të mbetet regjimi i taksës 15% për biznesin e madh. Risia e mandatit të katërt është propozimi për atë që quhet Paqe Fiskale për një periudhë 3 vjeçare. 15 % i tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë që biznes do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%. Kush oranon këtë marrëveshje, nuk do të ketë inspektime në biznes. Masa synon të nxjerrë në dritë të ardhura të padeklaruara.
- Paga e mësuesve në Shqipërinë 2030 do të jetë 1250 euro mga 950 që është sot.
- Në mandatin e katërt do të ndërtohen edhe 200 shkolla të reja, duke iu shtuar 450 shkollave të reja deri tani.
- Brenda mandatit të katërt numri i laboratorëve inteligjentë në shkolla do të jetë 1 mijë nga 340 që është aktualisht. Sipas Axhendës Kombëtare të Reformave, e dakordësuar me BE si kusht për anëtarësim, kjo kërkesë duhet përmbushur brenda qershorit 2027.
- Brenda mandatit të katërt, çdo bashki qendër qarku do të nisë programin e ushqimit në shkolla dhe do të nisë po ashtu një program i ri pas shkollor.
- Brenda vitit 2026, shkollat do të mbrohen. Siguria në shkolla do të garantohet me kamera inteligjente.
- Mandatin e katërt do të ngrihet shoqëria publike e transportit shkollor, e cila do të kryejë transportin falas të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.
- Gjatë mandatit të katërt, do të dyfishohet numri i nxënësve në arsimin profesional. 60 milionë euro janë përcaktuar të investohen në ndërtimin e shkollave profesionale, përfshirë komviktet. Objektivi është që në Shqipërinë 2030, 35 % e numrit të përgjithshëm të nxënësve të studiojë në shkolla profesionale. (Edhe ky është një kusht i Axhendës Kombëtare të Reformave për anëtarësim në BE)
- Deri në fund të mandatit të katërt, do të realizohen investimet e projekteve madhore të Universitetit të Tiranës, Kolegjit të Europës dhe do të thellohet ndërkombëtarizimi përmes aleancave të universitetit tonë me ato të BE-së.
- Në Shqipërinë 2030 që të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat do të jenë plotësisht të rindërtuara.
- Qendra Spitalore Universitare në Shqipërine e 2030 do të jetë prestigj ndërkombëtar i Shqipërisë për shërbimin shëndetësor.
- Në Shqipërinë 2030 paga e mjekëve do të shkojë tek 2000 euro.
- Në mandatin e katërt pensionistët do të perfshihen në programin e Check-up.
- Në bujqësi janë mbështetur 1000 projekte, mes të cilave 400 pika të reja grumbullimi dhe agropërpunimi dhe 120 agroturizma. Janë 1000 projekte të tjera që do të realizohen gjatë mandatit të katërt.
- Gjatë mandatit të katërt, PS do të çojë në afro 500 milionë vlerën totale të investimeve në bujqësi dhe synohet të arrihet objektivi super-ambicioz i 1 miliardë euro eksporte.
- Infrastruktura konsiderohet si një nga kuajt më të fortë të betejës së PS. Në 12 vjet, janë ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, mes të cilave 21 kilometër ura dhe 12 kilometër tunele. Korridori Blu dhe Korridori 8 përfndojnë brenda mandatit të katërt. Gjatë ketij mandati, do të ndërtohen edhe 700 kilometra rrugë të reja, ku bie në sy vazhdimi i rrugës së Bregut, nga tu eli deri në Sarandë.
- Brenda 2026 përfundon faza e parë dhe e dytë e superstradës Tiranë-Durrës. Përfundon edhe Kombinat- Ndroq – Plepa .
- Mandati i katërt do të jetë mandati i infrastrukturës hekurudhore, me nisjen e ndërtimit të disa segmenteve në të gjithë Shqipërinë, që e lidhin vendin me rrjetin ndërkombëtar përmes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
- Brenda vitit 2025 hyn në funksion Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut. Synohet të mos ketë më policë me postblloqe në rrugë
- Për portin e ri në Porto Romano gara ndërkombëtare është hapur. Së shpejti fillon nga puna me financim të qeverisë shqiptare. Trefishohen kapacitetet ekzistuese. Synohet që porti të ketë edhe krahun e vet ushtarak si port i NATO-s. Kryeministri thotë se vendi është shumë afër finalizimit të mbështetjes financiare nga NATO-ja.
- Në mandatin e katërt, Shqipëria synon të marrë pozicionin e një vendi sovran në energji, ku nuk do të ketë më nevojë të importojë energji. Me rritjen e prodhimot nga diversifikimi i burimeve, kryeministri thotë se jo vetëm do të kemi energji të mjaftueshme për vete, por do të mund të eksportojmë.
- Deri në fund të mandatit të katërt, në lidhje me furnizimin me ujë janë për t’u adresuar 16 zona urbane dhe 37 zona rurale, që do të thotë një mbulim i përgjithshëm kombëtar 90% me 24 orë ujë. 10% janë pika shumë të largëta nëpër male.
- Brenda vitit 2026, falë financimit të përbashkët me BE do të përfundohet plotësisht dixhitalizimi. (Kjo është një nga detyrat e marra përsipër në Axhendën Kombëtare të Reformave për anëtarësimin në BE.
- Brenda vitit 2028 do të mbyllen të gjitha legalizimet. Deri tani janë kryer 270 mijë legalizime.
- Brenda mandatit të katërt në Shqipërinë 2030, paga mesatare e ushtrisë shqiptare synohet të jetë në mesataren e ushtrive të NATO-s.
- Brenda vitit 2026 do të pajiset çdo shtetas shqiptar me kartën e identitetit dixhital, e cila do të jetë në të njëjtën kohë, me përgatitjet që po bën edhe Bashkimi Europian për Kartën Europiane të Identitetit Dixhital.
- Brenda vitit 2026, 12 qytetet qendër qarku do të jenë të futura në programin e monitorimit me kamera inteligjente, me synim parandalimin apo reagimin e shpejtë ndaj keqbërësve dhe identifikimin e tyre.
- Brenda mandatit të katërt synohet dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë. Deri tani, ndërhyrja e qeverisë është refuzuar, veçanërisht nga SPAK. Kryeministri thotë se shpreson në bashkëpunimin e pushtetit të pavarur gjyqësor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


