Nga Gazeta Si- Ndërsa sezoni i gripit klasik ka përfunduar dhe ditët pranverore sjellin ngrohtësi e diell, një tjetër kërcënim shëndetësor vazhdon të qarkullojë: viruset e parainfluenzës.
Të dhënat e fundit nga ISHP, përmes sistemit të mbikëqyrjes, tregojnë një rritje të ndjeshme të infeksioneve gjatë prillit 2025.
Një prill ndryshe: mbi 10,000 raste të reja
Sipas statistikave të ISHP, vetëm në dy javët nga 24 marsi deri më 7 prill 2025, janë raportuar mbi 10 mijë raste të reja të infeksioneve nga viruset e parainfluenzës.

Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se ky shpërthim lidhet ngushtë me ndryshimet e mëdha të temperaturës karakteristike të pranverës, të cilat ndikojnë në uljen e mbrojtjes së traktit respirator.
Në qendrat ambulatore, mjekët e familjes konfirmojnë për Gazetasi.al se megjithëse jemi jashtë sezonit klasik të gripit, janë shtuar rastet e pacientëve me simptoma njëjtë si gripi.
“Pjesa më e madhe e pacientëve janë të rinj mosha aktive dhe fëmijë, të cilët paraqesin dhimbje koke, temperaturë të lartë dhe bllokim të hundëve dhe dhimbje fyti”, thotë mjekja e familjes, Suela Dodani.
Çfarë janë viruset e parainfluenzës?
Virusi i parainfluenzës njerëzore (HPIV) i përket familjes së Paramiksovirusëve dhe jo virusit të gripit klasik. Ekzistojnë katër lloje kryesore (HPIV-1, HPIV-2, HPIV-3 dhe HPIV-4), të cilët mund të shkaktojnë infeksione të ndryshme të traktit respirator si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit.
Simptomat e infeksioneve janë të ngjashme me një grip të lehtë: ftohje e vazhdueshme, kollë e thatë, ethe të moderuara, dhimbje fyti dhe lodhje. Megjithatë, tek fëmijët, këto infeksione mund të çojnë në ndërlikime më serioze si laringotrakeiti ose bronkioliti.
Pse rriten rastet në pranverë?
Ekspertët shpjegojnë se luhatjet e shpeshta të temperaturës, madje edhe brenda të njëjtës ditë, ndikojnë në dobësimin e mukozave të hundës dhe rrugëve të frymëmarrjes, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve.

Ndërsa shumica e rasteve të infeksioneve nga viruset e parainfluenzës shërohen pa ndërlikime brenda 3-4 ditësh, grupet më të rrezikuara përfshijnë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike ose sistem imunitar të kompromentuar.
Si të mbrohemi?
Për të kufizuar përhapjen e infeksioneve, ekspertët rekomandojnë disa masa të thjeshta, por efektive:
Vishuni me shtresa për të përballuar ndryshimet e temperaturës.
Lani duart shpesh, edhe jashtë ambienteve shëndetësore.
Ajrosni dhomat rregullisht, duke shmangur ekspozimin ndaj rrymave të ftohta direkte.
Kujdesuni për sistemin imunitar me një dietë të pasur dhe hidratim të mirë.
Në këtë mënyrë, jo vetëm që reduktojmë rrezikun e infeksioneve, por forcojmë organizmin tonë për të përballuar më mirë sfidat që sjell stina e pranverës.
Edhe pse virusi i parainfluenzës shpesh konsiderohet më i butë se gripi klasik, kujdesi dhe parandalimi mbeten thelbësorë, sidomos për grupet më të ndjeshme. Me masa të thjeshta ditore, mund të ruajmë shëndetin tonë dhe të komunitetit gjatë muajve të ngrohtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



