Gazeta Si – Një konflikt i çastit mes dy të rinjve në Lezhë ka agravuar në përdorimin e sendeve të forta. Për pasojë ka mbetur i dëmtuar rëndë njëri prej tyre.
Sipas policisë, ai është dërguar në spital ku po merr ndihmën mjekësore, ndërsa vijojnë kërkimet për autorin e plagosjes.

Policia tha se rreth orës 11:30, në qytet, R.M., dyshohet se ka goditur me sende të forta F.Gj., gjatë një konflikti ndërmjet tyre, për motive të dobëta.
Ky i fundit është dërguar në spital, për mjekim. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Kadastrës.
Disa të rinj janë parë teksa hyjnë në një lokal të zonës, ku më pas kanë nxjerrë jashtë një person dhe kanë nisur ta godasin në mënyrë brutale. Në pamje shihet se tre prej tyre e sulmojnë pa mëshirë me shkop bejsbolli dhe me shkelma.
Shërbimet e policisë po kryejnë kontrolle në qytet, për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.