Nga Gazeta ‘SI’ – 2025-a ka nisur me një rënie të parave që qarkullojnë jashtë sistemit bankar në vend.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në janar, qarkullonin 422 mld lekë, 1 miliardë më pak se në dhjetor 2024. Ndërkohë, nga nëntori në dhjetor, ky tregues ishte rritur me 18 miliardë lekë.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në janar 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 20 mld lekë nga dhjetori dhe raportohet 865 mld lekë.
Me rritje raportohet edhe treguesi i parasë së gjerë, ose siç njihet ndryshme Agregati M3, që përfshin paratë në qarkullim jashtë sistemit të korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve, plus të gjitha depozitat e llogaritë në valutë të jorezidentëve. Për muajin janar, paraja e gjerë arriti vlerën më të lartë në 1.819 trilionë lekë, nga 1.785 trilionë lekë që ishte në muajin dhjetor.
Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 19 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.07 trilion lekëve, nga 1.05 trilionë lekë, që ishte në nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.