Futboll

7 javë nga fundi, gjithçka e hapur në Superiore

Sot dhe nesër do të luhen ndeshjet e raundit të 30 në Kategorinë Superiore, i treti në 12 ditët e fundit që e gjen kompeticionin më të hapur se asnjëherë në dy fazat e fundit të tij. Transferta delikate për Skënderbeun në Shkodër dhe Tiranën në Rrogozhinë. Dy ndeshje që do zhvillohen me drita (prej orës 18:00) ku vendasit janë dukshëm të favorizuar ndaj krizës së miqve për mbijetesë. Nëse lënë pikë në “Loro Borici” dhe “Arena Egnatia”, korçarë dhe kryeqytetas afrohen akoma më shumë me Kategorinë e parë.

Tre takimet e tjera do të zhvillohen nesër, duke filluar nga ora 15:00 ku Bylis pret Laçin në një sfidë që i ndan vendas dhe miq me 1 pikë të vetme. Si dy skuadrat e fundit në zonën e qetësisë, do të tentojnë ta sigurojnë sa më shpejt një pozicion të tillë. Në orën 18:00 Partizani pret Teutën dhe AF Elbasani do të ndeshet me Dinamo City-n. Në “Arenën e Demave” të kuqtë duan fitoren e dytë rradhazi (pas asaj në Korçë) për atë që mund të jetë sprinti final drejt titullit në sezonin e rregullt. 

Aspak e vështirë transferta për blutë e Ilir Dajës po të shohim 3 ndeshjet e këtij sezoni përballë verdhebluve. 3 fitore për Dinamo City-n që shkon për “poker” në Elbasan. Në të njëjtën kohë kryeqyteti dominoi edhe Formacionin e javës së 29 me 7 lojtarë, Lorran, Zabërgja dhe Bregu nga Dinamo City. Qirko, Kote, Eleke nga Partizani dhe Kola nga Tirana. Mjaki dhe Tresa (Laçi) plotësuan krahun e djathtë ndërsa Bajrami (Vllaznia) dhe Arifi (Teuta) kompletuan formacionin e drejtuar nga Arbër Abilaliaj (traineri i javës së 29).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë