Nga Gazeta Si- Çdo njoftim pune që ka kërkesa dhe parapëlqime specifike që kanë të bëjnë me gjendjen familjare, martesore apo me detyrimet familjare konsiderohet diskriminim.
Në draftin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë “Për barazinë gjinore” thuhet se në njoftimet e punës është e ndaluar të kërkohet nga punëdhënësi informacion rreth jetës private ose familjare të aplikantit.
Përjashtim bën për punë të caktuara ku pozicioni i kërkuar është specifik për gjininë.
“Hartimi, zbatimi, nxitja dhe krijimi i dispozitave, kushteve, kritereve apo praktikave, në dukje neutrale, por që sjellin vendosjen në një situatë më pak të favorshme të një personi të njërës gjini, krahasuar me personat e gjinisë tjetër, përbën diskriminim të tërthortë për shkak të gjinisë dhe ndalohet”, thuhet në draftin e publikuar.
Kushdo që pretendon se është trajtuar në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji, ka të drejtën të paraqesë kërkesë pranë organeve publike dhe/ose padi në gjykatë.
Shpërblimi i dëmit përfshin kompensimin për dëmet pasurore dhe jo pasurore, ndreqjen e shkeljeve ligjore dhe pasojave përkatëse, përmes kthimit në gjendjen e mëparshme si zhdukjen e shkaqeve që sjellin dëmin.
Ndërkohë, në këtë draft të ri përmendet edhe barazia gjinore në kërkimet shkencore të fushave të ndryshme, si në art, kulturë dhe mjedis, duke kërkuar që të ketë analiza, kërkime dhe studime shkencore periodike për ndikimin ndaj gjinive të ndotjes së ajrit, ndotjes së zinxhirit ushqimor si dhe çdo ndotje mjedisore.
Gjithashtu kërkohet edhe realizimi i studimeve për ndikimin e kulturës dhe artit ndaj gjinive dhe për kontributin gjinor në zhvillimin e kulturës dhe artit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.