Ekonomi

Inflacioni qëndron në 1.9%. Vazhdon rritja e ushqimeve

Nga Gazeta ‘SI’ – Njësoj si në janar, edhe në shkurt inflacioni në vend raportohet 1.9%. Një vit më parë, ky tregues ishte 2.6%.

Sipas INSTAT, rritjen më të madhe të çmimeve e ka shënuar grupi i argëtimit dhe kulturës, që në raport vjetor është rritur me 6.5%, ndjekur nga pijet alkoolike dhe duhani me 4.5%. Mobiljet janë shtrenjtuar me 3.6% dhe ushqimet me 2.8%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “mish” patën një rritje me 4%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 3.2 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2.8 %.

Çmimet e grupit energji, ujë dhe qira janë rritur me vetëm 0.4% në shkurt, llogarit INSTAT.

Nga një vit më parë çmimet e karburantit janë ulur me 2.2%.

Në raport mujor, nga janari në shkurt, rritjen më të fortë të çmimeve e ka patur grupi i ushqimeve e pijeve joalkoolike dhe argëtimi me 0.9% respektivisht. Nga janari në shkurt, çmimet për grupin e energjisë dhe qirasë janë ulur me 0.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë