Bitcoin ra përsëri pasi vendimet e presidentit Donald Trump vazhdojnë të zhgënjejnë tregjet. Rënia e kriptomonedhave pasqyron dobësimin në tregun e aksioneve, që është frikësuar tashmë nga një mundësi e një lufte globale ekonomike.
Presidenti Trump firmosi një vendim për të krijuar rezervën e Bitcoin, duke mbajtur një nga premtimet e tij të fushatës për t’a kthyer Amerikën në “kryeqytetin e kritpomonedhave”.
Tregjet e zhgënjyera nga Trump
Përveç një entuziazmi orët e para, vendimi nuk i dha asnjë stimul çmimit të Bitcoin, që në fakt ra nga 90 në 84 mijë dollarë dhe më pas në 80 mijë dollarë.
Urdhri i zhgënjeu entuziastët e kriptos pasi David Sacks, përgjegjësi për kriptot në Shtëpinë e Bardhë, tha në një postim se Rezerva do të kapitalizohej me Bitcoin në pronësi të qeverisë federale nga rastet e konfiskimeve dhe paratë e taksapaguesve nuk do të përdoreshin për të blerë kriptovaluta. “Qeveria nuk do të blejë asete shtesë për rezervat përtej atyre të marra përmes procedurave të konfiskimit,” tha ai. Deklarata theksoi gjithashtu se qeveria do të mbajë zotërimet e saj ekzistuese prej 200.000 Bitcoin si një depo me vlerë: “SHBA nuk do të shesë asnjë Bitcoin të depozituar në Rezervë.”
Urdhri i Trump përfshin gjithashtu krijimin e një stoku të aseteve digjitale të SHBA-së, “i përbërë nga asete digjitale të ndryshme nga Bitcoin të konfiskuara në procedurat penale ose civile”.
Bitcoin u rrit të dielën e kaluar pasi Trump njoftoi në Truth Social se ai do të drejtonte Grupin e Punës Presidenciale për të ecur përpara në një Rezervë kriptomonedhash që përfshin pesë monedha digjitale duke përfshirë Bitcoin, Ethereum, XPR, Solana dhe Cardano. Postimi shkaktoi një rritje jetëshkurtër në këto kriptovaluta, me Bitcoin që u rrit në mbi 94.000 dollarë nga rreth 86.000 dollarë (79,600 €). Megjithatë, fitimet u fshinë të nesërmen pasi Trump konfirmoi një tarifë prej 25% për Kanadanë dhe Meksikën, së bashku me një taksë shtesë prej 10% për importet kineze.
Bitcoin ka qenë në një rënie të vazhdueshme pasi arriti në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, mbi 109.000 më 20 janar, ditën e inaugurimit të Trump. Kriptomonedha më e madhe në botë ra nën 80.000 dollarë më 28 shkurt, më e ulëta që nga nëntori 2024, duke shënuar muajin më të keq në tre vjet.
Trendi në rënie pasqyroi shitjen e gjerë në tregjet e aksioneve të SHBA-së, pasi tarifat e Trumpit i trembën investitorët me frikën e një lufte tregtare globale në rritje, e cila do të ngadalësojë ndjeshëm rritjen ekonomike.
Kriptomonedhat zakonisht tregtohen së bashku me aktivet tradicionale të rrezikut, veçanërisht aksionet e teknologjisë amerikane. Bitcoin ka rënë 6% këtë vit, duke u përafruar ngushtë me indeksin e teknologjisë, rënien prej 6.4% të Nasdaq.
“Deri më tani këtë vit, Bitcoin ka dëshmuar se është reagues ndaj tendencave makroekonomike, duke përfshirë luftërat tregtare dhe tendencat e normave të interesit. Me firmat e mëdha të Wall Street-it të ekspozuara tani ndaj kriptmonedhës, ajo është më e ndjeshme ndaj flukseve të konsiderueshme të likuiditetit, duke kontribuar kështu në paqëndrueshmërinë e saj,” shkroi në një shënim Uldis Teraudklans, një ekspert.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



