Ekonomi

‘Shqipëria, destinacioni me performancën më të mirë turistike në botë’/ 7.4 milionë netë qëndrime në 2024-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria kishte rritjen më të fortë të netë qëndrimeve të turistëve, gjatë 2024-s, ndër vendet e Europës.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në 2024-n, netë qëndrimet e turistëve në Shqipëri u rritën me rreth 24%, ndërsa vetëm për dhjetorin u rritën me 35%.

Në vlerë absolute Shqipëria nuk kryeson as rajonin, me numër total netë qëndrimesh 7.4 milionë. Vendin e parë nga rajoni e mban Serbia me më shumë se 12 mln netë qëndrime.

Shifrat e INSTAT tregojnë se netë qëndrimet patën rritje më të fortë jashtë sezonit të verës, kur u raportua një “sabotim” nga turistët vendas, për shkak të çmimeve të larta të hoteleve.

Ndërkohë në raportin e fundit të Organizatës Botërore të Turizmit, Shqipëria po ashtu kryeson listën e vendeve me rritjen më të fortë të turistëve në 2024-n, krahasuar me 2019-n. Me rritje 80% të numrit të turistëve, Shqipëria emërohet si destinacioni turistik me performancën më të mirë për 2024-n.

Dy vitet e fundit Shqipëria ka kryesuar raportet botërore të turizmit, duke u cilësuar si një ndër destinacionet e reja më të suksesshme. Por sipas projeksioneve ky trend do të zbehet, ndikuar nga mungesa e fuqisë punëtore.

“Ndërsa Shqipëria mbetet konkurruese si destinacion turistik, presionet për konkurrencë më të gjerë,  do të rriten nëse rritja e pagave vazhdon të tejkalojë rritjen e produktivitetit, edhe pse mungesa e fuqisë punëtore nga një plakja e popullsisë dhe migrimi vazhdojnë të ushtrojnë presione rritëse mbi kostot e punës”, paralajmëroi pak javë më parë FMN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë