Shendet

Bie numri i rasteve me grip dhe viroza. Piku u arrit në fund të janarit e javën e parë të shkurtit

Nga Gazeta Si- Shqipëria po i largohet epidemisë së gripit që mbërtheu vendin prej muajit nëntor.

Siç shkruan Instituti i Shëndetit Publik, në raportin më të fundit të survejancës, për Gazetasi.al, piku i rasteve me grip e viroza u shënua në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt, (java e parë).

Por, ISHP thotë se deri javën e shkuar janë regjistruar rreth 15 mijë raste në mbarë vendin çka do të thotë se viruset janë akoma në qarkullim dhe mbrojtja e kujdesi prej tyre duhet të vazhdojë.

 “Në vend qarkullojnë viruset e gripit të tipit A dhe B, Covid-19 dhe virusi RSV, megjithatë në nivel shumë më të ulët sesa gripi. Aktualisht, trendi i qarkullimit të gripit është në rënie dhe pritet të vazhdojë deri në fund të marsit”, thotë Instituti i Shëndetit Publik.

Trendi i Infeksioneve Respiratore

Sipas ISHP, numri i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme është në rënie, aktualisht 15 mijë raste.

Shtrimet në spital kanë pësuar një ulje të theksuar si tek fëmijët (0-14 vjeç) ashtu edhe tek të rriturit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përcaktuar sezonin zyrtar të gripit nga fillimi i tetorit deri në mesin e majit.

Bazuar në përvojën shumëvjeçare në vendin tonë, qarkullimi i gripit fillon në muajt nëntor-dhjetor, arrin pikun në fund të janarit dhe fillim të shkurtit, dhe më pas fillon të ulet deri në fund të marsit.

ISHP thotë se, situata aktuale epidemiologjike është normale dhe e pritshme për këtë periudhë të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë