Treg

Çfarë është Rezerva e Bitcoin sipas planit të Trump dhe pse është e nevojshme për tregun

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se qeveria e tij do të krijojë rezervën e kriptomonedhave, ku do të përfshihen vetëm 5 të tilla, duke theksuar se do ta bëjë SHBA-në “kryeqytetin” e kriptove.

Trump tha se që prej inaugurimit të tij, ka nisur puna me ekspertë të kriptomonedhave që po planifikojnë me detaje përmbushjen e këtij premtimi.

Lëvizja vjen përpara një Samiti të parë të Kriptove në Shtëpinë e Bardhë që do të ndodhë të Premten dhe përfaqëson një kthesë të konsiderueshme në politikën amerikane. Administrata e ish-presidentit Joe Biden goditi industrinë për shkak të dyshimeve për transaksione mashtruese. Vetë Trump ishte një kriptoskeptik gjatë mandatit të tij të parë si president. Në atë kohë, ai e kishte quajtur Bitcoin – kriptomonedhën më të madhe – një “mashtrim”.

Megjithatë, në njoftimin e tij të së dielës, Trump kritikoi politikat e epokës Biden, duke i quajtur ato “të korruptuara”.

Trump tha se “një rezervë kriptosh do ta lartësojë këtë industri kritike pas vitesh sulme korruptive nga administrata e Biden. “Unë do të sigurohem që SHBA të jetë kryeqyteti i kriptove në botë. Ne po e bëjmë Amerikën të madhe përsëri.”

Çfarë do përfshijë rezerva e kriptomonedhave?

Trump ka sqaruar se rezerva do të ketë kriptomonedhat e vogla si XRP, Cardano dhe Solanda, por patjetër edhe dy kryesoret Bitcoin dhe Ethereum që do jenë “zemra” e rezervës.

Tregjet reaguan menjëheë pas njoftimit, me Cardanon që u rrit me 60% në 1.25 dollarë. Solana u rrit nga 150 në 170 dollarë dhe XRP nga 2.25 në 3 dollarë. Bitcoin dhe Ethereum u rritën me 10%, respektivisht në 94 dhe 86 mijë dollarë.

Cili është qëllimi pas rezervës së kriptove?

Posedimi i monedhave digjitale si Bitcoin shihet si një rezervë alternative nga qeveria, njësoj si ari dhe si një mbrojtje kundër inflacionit. Por disa ekspertë thonë se tregu i kriptove është tepër i luhatshëm dhe lëvizja e shpeshtë e çmimeve e bën atë një rezervë me rrezik.

Shumë shtete që mbajnë monedha digjitale që janë kapur nga aktiviteti kriminal, po i përdorin për qëllime ligjore.

Zvicra po planifikon të krijojë rezervë pas një referendumi publik, ndërkohë Brazili, Gjermania, Hong Kongu, Polonia dhe Rusia po bëjnë hapa gjithashtu për të ndërtuar ato.

Qeveria amerikane aktualisht ka zotërimin më të madh të kriptomonedhave të çdo vendi – 200.000 Bitcoin – dhe qëndrimi i Trump shihet si një kredibilitet i mëtejshëm për monedha të ndryshme. Nëse planet për rezervën e kriptove në SHBA shkojnë përpara, më shumë vende ka të ngjarë të futen në lojë për shkak të ndikimit të jashtëzakonshëm të SHBA-së si ekonomia më e madhe në botë.

Shtytja e kriptove nga Trump do ta pozicionojë Amerikën përpara, duke i dhënë asaj një ndikim të konsiderueshëm mbi mënyrën se si rregulloret ndërkombëtare të kriptove shfaqen më vonë. Nëse SHBA do të mbajë pjesën më të madhe të kriptove në raport me botën, atëherë do të ejtë në gjendje që të minimizojë edhe luhatjet e çmimit.

Në korrik të 2024-s, senatorja republikane Cynthia Lummis prezantoi Aktin e Bitcoin në kongres, që detyronte çdo institucion që kishte Bitcoin t’i kalonte në Thesarin amerikan. Akti ende nuk është miratuar.

A kanë vendet e tjera rezerva kripto?

Vetëm tre vende aktualisht trajtojnë kriptovalutat si asete ligjore:

El Salvador: Që nga viti 2021, qeveria e Nayib Bukele ka miratuar Bitcoin si mjet ligjor, duke e bërë atë vendin e parë që e bën këtë. Sidoqoftë, studiuesit nga Yale zbuluan në një studim të janarit 2024 se monedha nuk po përdorej shumë. Në janar, qeveria uli rregullat e Bitcoin, duke e bërë atë jo më të dobishme për pagimin e taksave dhe faturave shtetërore. El Salvador aktualisht ka rreth 6.088 Bitcoin në rezervat e tij, të cilat vlerësohen në 558 milion dollarë.

Republika e Afrikës Qendrore: Në vitin 2022, CAR miratoi Bitcoin si mjet ligjor, por është e paqartë se sa ka vendi në rezervat e tij.

Butani: Në janar, qyteti Gelephu Mindfulness i Butanit miratoi një politikë të mbajtjes së kriptomonedhave si Bitcoin dhe Ethereum në rezerva strategjike. Butani minon dhe zotëron rreth 11.000 Bitcoin, me vlerë 1.1 miliardë dollarë sipas Arkham Exchange.

Ndërkohë, disa vende mbajnë monedha si Bitcoin, shpesh të sekuestruara përmes veprimeve të zbatimit të ligjit në lidhje me aktivitetin kriminal.

Shtetet e Bashkuara: Ka rreth 200.000 Bitcoin, më i larti i çdo vendi në botë, me vlerë rreth 16.7 miliardë dollarë, sipas Bitcoin Treasuries, një faqe interneti tregtare.

Kina: Transaksionet me kripto janë aktualisht të ndaluara në Kinë sepse qeveria ka luftuar për t’i rregulluar ato.  Qeveria kineze po punon për krijimin e monedhës së saj digjitale – e cila do të mbështetet nga banka qendrore kineze. Aktualisht, Kina mban rreth 194.000 Bitcoin, me vlerë rreth 16.2 miliardë dollarë (që nga 4 marsi), i cili u sekuestrua nga kompanitë e skemës Ponzi.

Mbretëria e Bashkuar: Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mban rreth 61 Bitcoin të sekuestruara nga rrjetet ndërkombëtare të pastrimit të parave, sipas firmës së kriptove Binance. Kjo është rreth 5 milionë dollarë.

Ukraina: Mban rreth 1200 Bitcoin nga donacionet publike për shkak të luftës së vazhdueshme ruse në Ukrainë. Kjo vlerësohet në rreth 100 milionë dollarë.

Finlanda: Zotëron rreth 890 Bitcoin – rreth 74 milionë dollarë – që u sekuestruan gjatë hetimeve të trafikut të narkotikëve.

Indi: Zotëron 450 Bitcoin të sekuestruara gjatë hetimeve të mashtrimit të kriptove, të vlerësuara në 37 milionë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë