Nga Gazeta Si- Tek fëmijët por rriten rastet e uljes së dëgjimit. Mjekët otorinolaringologë shprehen të shqetësuar për situatën në vendin tonë.
Mjeku otorino, Genc Salaj thotë se dy prej faktorëve të riskut, përveç trashëgimisë, që kanë sjellë dhe shtim të kërkesave për vendosjen e aparateve të dëgjimit tek fëmijët, janë virozat e shpeshta dhe përdorimi i antibiotikëve pa kriter.
“Nëse dikur, nevojat për aparate vinin nga pensionistë, sot ka dhe të rinj e fëmijë që shfaqin probleme me dëgjimin. Prekja nga virozat është një nga arsyet, por dhe puna në Call Center, ka rritur numrin e të rinjve me probleme të uljes së dëgjimit”, thotë mjekja otorino-laringologe Anjeza Kuçi.

Sipas mjekes, ndër kategoritë e tjera që shfaqin probleme të uljes së dëgjimit janë pacientet me sëmundje sistemike si HTA, diabet mellitus, pacientët që bëjnë punë me zhurma në industrinë e rëndë, që punojnë në Call Center, që përdorin kufjet për të dëgjuar muzikë me zë të lartë dhe pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike të veshit si otitet media kronike, kolestatoma, otoskleroza etj.
Mjekja Kuçi thotë se dhe sëmundjet virale janë menduar që janë shkak kryesor për humbjen e dëgjimit.

“Është e njohur prej kohësh, për shembull që shytat shkaktojnë humbje dëgjimi unilaterale të thella tek fëmijët dhe Ky virus është ndër të vetmit që ndërhynë edhe në Cochlea (veshi i brendshëm)”, thotë mjekja, duke shtuar dhe ndryshime të gjendjes fizike si operacionet, udhëtimet, veprimtaritë e rrezikshme si zhytjet nën ujë gjithashtu mund të shkaktojnë humbje dëgjimi.
Humbjet e dëgjimit i ndajmë në uljet e dëgjimit konduktive që i detyrohen transmetimit jo korrekt të tingullit që nga llapa e veshit deri tek veshi i brendshëm.
LEXO EDHE:
-A janë kufjet që bllokojnë zhurmat arsyeja e problemeve me dëgjimin tek të rinjtë?
-Humbja e dëgjimit për shkak të video lojërave, OBSH prezanton udhëzuesin e parë global
Uljet e dëgjimit sensorineurale përfshijnë veshin e brendshëm (Cochlean) dhe nervin e dëgjimit dhe mund të prekin qelizat receptore sensitive, neuronet e nervit statoacusticus duke i penguar të funksionojnë normalisht. Në këto raste ulja e dëgjimit quhet humbje e dëgjimit.
Ulja e dëgjimit mikse është ajo formë e uljes së dëgjimit ku kemi elemente sensorineural dhe transmetues (psh. otoskleroza).
Humbja e dëgjimit tek fëmijët e vegjël mund të shfaqet në disa periudha të jetës si:
Prenatale(para lindjes), shkaktohen nga patologji gjenetike (të cilat transmetohen në mënyrë autozomale recesive ose autozomale dominante, etj) dhe disa patologji infektive që kalon nëna si rubeola, toksoplazma, citomegalovirusi, infeksione virale etj.
Uljet e dëgjimit të tipit të rëndë në këto raste nëse nuk diagnostikohen në kohë çojnë në pamundësi për të mësuar të folurën dhe për pasojë në problematikë të integrimit të fëmijëve në jetën sociale.
Perinatale (gjatë procesit të lindjes), shkaktohen si pasojë e prematuritetit, fëmijët nën peshë, ikteri neonatal (verdhëza), papajtueshmëritë e faktorit Rh etj.
Post natale (pas lindjes) shkaktohen nga patologji të tilla si: rubeola, Meningoencefalitet, parotitet, përdorimi i medikamenteve ototoksike dhe trauma të kokës me fraktura të kockës temporale etj.
Tek femijët pas moshës 2 vjeçare mund të shfaqen secila nga të tre format e uljes së dëgjimit.
Kryesisht në moshat e vogla hasim më tepër ulje të dëgjimit transmetues që i detyrohen patologjive të veshit të mesëm, si pasojë e infeksioneve të shpeshta të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Bazuar në të dhënat e mësipërme, mjekët duhet të jenë mjaft të kujdesshëm në diagnostikimin e hershëm.

Mënyra më e mirë është depistimi neonatal të paktën i fëmijëve të porsalindur që kanë risk për hypoacusi (anamneze familjare për hypoacusi; infeksione të nënës apo ekspozim i nënës ndaj substancave toksike gjatë shtatzënisë; fëmijë prematurë; hiperbilirubinemia etj).
Tek të rriturit mund të hasen të gjitha format e uljes së dëgjimit por më të rëndësishmet janë format sensorineurale.
Këto patologji mund të kenë shkaqe të ndryshme por tre janë patologjitë më të shpeshta që hasen:
Patologjitë që vijnë si pasojë e rritjes dhe ndryshimit të moshës (Presbiacusia).
Shkaqet e humbjes së dëgjimit mund të jenë me natyrë gjenetike që shfaqet në disa breza, si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj zhurmave dhe vaskulare si pasojë e ishemisë kronike nga arteroskleroza etj.
Patologjitë ku ulja progresive e dëgjimit i detyrohet ekspozimit për kohë të gjatë ndaj tingujve me intesitet të lartë ndeshen më shpesh në popullsinë që jeton në zona të industrializuara dhe shpesh është sëmundje profesionale.
Ekspozimi ndaj zhurmës rrit çlirimin e glutamatit i cili është neurotransmetues ndërmjet qelizave nervore dhe sinapseve të fibrave nervore aferentë, dhe niveli i lartë i këtij neurotransmetuesi ka efekt neurotoksik duke shkaktuar dëmtimin e Cochlesë që shoqërohet pastaj me ulje progresive të dëgjimit.
Shurdhësia e menjëhershme mund të shfaqet papritur në një person i cili nuk ka pasur më parë probleme me dëgjimin.
Humbja e dëgjimit është përgjithësisht e rëndë dhe pas një periudhe ditësh apo javësh, kjo humbje e thellë mund të zvogëlohet dhe në disa raste, zhduket komplet.
Cilat janë disa këshilla si të ruajmë dëgjimin?
Mjekët thonë se gjëja më e rëndësishme është diagnostikimi sa më i hershëm veçanërisht në moshat fëminore.
“Mos ekspozimi ndaj zhurmave dhe ngacmimeve akustike të vazhdueshme dhe veçanërisht me intensitete të larta ndihmojnë shumë. Kujdes në përdorimin e antibiotikëve dhe të preparateve ototoksike dhe duhet të trajtohet me kujdes çdo patologji që mund të çojë në uljen e dëgjimit”, thonë mjekët specialistë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



