Treg

Shqiptarët shpenzuan 177 mln lekë për sigurimin e pronës gjatë muajit janar

Nga Gazeta ‘SI’ – Vetëm në muajin janar, shqiptarët kanë shpenzuar 177 milionë lekë për sigurimin e pronës nga zjarri apo tërmetet. Nga janari i 2024-s, kjo shifër është rritur me 6%. Përkthyer në kontrata, për këtë zë janë nënshkruar më shumë se 5 mijë të tilla.

Sipas shpjegimit që japin ekspertët e tregut, interesi për këtë lloj sigurimi nuk vjen nga ndërgjegjësimi për rrezikun e pronës, por nga detyrimi që vendos banka për kredimarrësit.

Ndërkohë, AMF tregon se dëmshpërblimet e kompanive të sigurimit për dëmtime të pronës janë reduktuar me 60% nga janari i shkuar dhe kanë paguar vetëm, 21 milionë lekë nga 52 milionë.

Në total, për janarin, kompanitë e sigurimit në vend arkëtuan 1.9 miliardë lekë me rritje të qëndrueshme prej 11%. Tregu vazhdon të dominohet nga sigurimet e detyrueshme, siç janë ato motorike, me vlerë 1.1 mld lekë.

Dy vite më parë, qeveria hodhi idenë e një sigurimi të detyrueshëm për pronën dhe u përball me shumë kundërshti. Ideja e qeverisë u mbështet dhe nga Banka Botërore, por diskutimet mbi draftin nuk avancuan kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë