Politike

Berisha propozon kontroll mbi SPAK-un

Gazeta Si – Sali Berisha, pasi ka dalë nga SPAK ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”, ka zbutur tonet ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke folur për reformim dhe jo për shkrirje të këtij institucioni, siç kishte evokuar javët e fundit.

Në fjalën e tij këtë të hënë, kryedemokrati foli para mbështetësve të tij për reformim të SPAK, duke theksuar faktin që kur një prokurori është politike, nuk mund të pranohet si e tillë.

Kreu i demokratëve u shpreh se SPAK nuk do të mund të jetë më një prokurori që kontrollon gjykatësin dhe gjykatën në të cilën çon dosjen.

“Reformimi është detyra jonë. Unë e them kur një prokurori politike nuk mund të pranohet sepse është një prokurori politike është instrument i diktaturës dhe që skapi është kthyer në një prokurori politike që është konfirmuar botërisht. Janë tre rezoluta të të gjitha partive të qendrës së djathtë në botë, të cilat e damkosën këtë prokurori, si prokurori politike dhe ndaj nuk do të mund të jetë kurrë një prokurori politike. Së dyti, nuk do të mund të jetë kurrë një prokurori që kontrollon gjykatësin dhe gjykatën në të cilën çon dosjen”, shprehet Berisha.

Më pas Berisha, akuzoi Ramën se kërkoi votat e PD-së për të kontrolluar SPAK, pasi kishte hallin e dosjeve të tij të krimit.

Ai tha se gjyqtarja e Apelit të GJKKO-së, Ilirajana Olldashi, e cila i takonte të shqyrtonte dosjen e masës së sigurisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është kërcënuar.

Siç ka përsëritur disa herë javët e fundit, kryedemokrati shtoi se ky institucion do të reformohet me ndihmën e Komisionit të Venecias.

“Së fundmi, kush i kontrollon këta? A mundet të ketë një institucion jashtë kontrollit? Askund nuk ekziston në një republikë parlamentare në demokraci. Nuk ka asnjë institucion jashtë kontrolli, përveç kontrollit të pengmarrësve. Këta duhet të kenë sistemin e kontrollit si në gjithë botën, – theksoi Berisha. – Pra këto elementë reformimi dhe natyrisht largimi nga Skap-i i të gjithë atyre që kanë lidhje me krimin dhe që janë të evidentuar tashmë. Këto janë pra qëndrimet e PD për Skap-in”.

Sipas Berishës, “Edi Rama vërtet u përpoq që të bashkoheshin votat, por mori atë që meritonte. Kurrë nuk mund të bashkoheshin votat me një njeri që kishte hallin e dosjeve e tij të mëdha të krimit. Pse do mbrojë unë Edi Ramën? Kurrë… Nuk them se kush do e bëjë kontrollin, unë besoj se do vendoset me Komisionin e Venecias”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë