Drejtësia

Vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit në 2023-in, prokuroria çon për gjykim Sokol Mjacajn dhe 12 policë

Gazeta Si – Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Sokol Mjacajn dhe 12 policë të burgut të Peqinit për vrasjen e ndodhur në këtë institucion të sigurisë së lartë më 15 dhjetor të vitit 2023.

Sipas prokurorisë, Mjacaj i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, vrau Arben Lleshin dhe plagosi një tjetër. Hetimet zbuluan se arma e zjarrit e përdorur prej autorit ishte futur në burg disa javë përpara ngjarjes, dhe ende nuk është gjetur personi që e ka bërë të mundur.

Mjacaj deklaroi që kishte një konflikt me Lleshin, por prokuroria e konsideron këtë vetëm një alibi, duke e parë si një vrasje me pagesë.

Hetimet gjithashtu përfshinë dyshime se disa zyrtarë të burgut mund të kenë bashkëpunuar me Mjacajn për të futur armën në burg dhe për të mbajtur informacion të fshehtë për ngjarjen.

12 zyrtarët e burgut, përfshirë drejtorin Kamber Hoxha dhe disa shefa të regjimeve të ndryshme, akuzohen për “shpërdorim të detyrës” dhe për mosrealizimin e detyrës së sigurisë, që mund të kenë kontribuar në mundësimin e kryerjes së krimit brenda burgut të Peqinit.

Zyrtarët e Burgut të Peqinit, të cilët u arrestuan pas vrasjes së Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, janë liruar nga Gjykata e Apelit.

Mjacaj qëlloi me armë zjarri në ambientet e qelisë mbi Arben Lleshin, duke e lënë të vrarë, teksa ngjarja dyshohet të jetë e porositur nga persona të tjerë jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë