Raundi i fundit në fazën e tretë të Kategorisë Superiore ndahet mes të shtunës dhe të dielës. Në dy fidat e të shtunës spikat “derbi” i Veriut ku Vllaznia zbret në Lac, ndërsa nga e diela vecohet derbi i kryeqytetit që sërish nuk do të luhet aty. Transferta delikate për dy nga 4 skuadrat e Final 4 një ditë më pas. Partizani udhëton drejt Elbasanit dhe zbret në fushë me rezultatin e njohur në Laci-Vllaznia. Vendasit e Moriero-s duan sa më shpejt mbijetesën dhe një fitore ndaj kuqebluve do të ndihmonte të kuqtë të reduktonin diferencën, kuptohet në rast fitoreje ndaj AF Elbasanit. Pas eleminimit nga Kupa edhe verdheblutë duan pikë sigurie në kampionat. Java fillon nesër në orën 14:00 dhe vazhdon në orën 17:00.

E njëjta gjë vlen edhe për të dielën kur Bylis do të presë Skënderbeun në sfidën për mbijetesë. Ballshiotë dhe korcarë “hoqën” dorë nga Kupa me një objektiv të vetëm. Të kthehen në Superiore në muajin Shtator. Në orën 17:00 luhen dy takimet që mbyllin fazën e 3. Egnatia pret Teutën në “Arena Egnatia” dhe nuk pritet të ketë probleme ndaj miqve, dukshëm inferiorë me atë që kanë dhënë në 26 javët e kaluara. Përballje ku nuk vlen klasifikimi është derbi mes Tiranës dhe Dinamo City-t. Diferenca prej 18 pikësh në renditje lihet mënjanë në të tilla raste. Bardheblutë janë në ethet e mbijetesës por Dinamo City kërkon vendin e dytë të cilin nëse e arrin, rrit presionin ndaj Egnatia-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




