Politike

Gjiknuri – opozitës: S’mund të votohet me dokument të huaj! Po kërkoni alibinë e radhës për humbjen

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, i cili njëkohësisht është i mandatuari i mazhorancës për negociatat me opozitën për Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjet që bëhen mes palëve për votën e Diasporës dhe ndryshime të tjera të nevojshme, tha se PD-në me pretendimet që po bënte sot në Kuvend, po kërkonte një alibi.

Ai e quajti antilogjike kërkesën e opozitës që të shtyhet afati i regjistrimit edhe për shqiptarët brenda Shqipërisë apo për dokumentet e skaduara të identifikimit për shtetasit brenda vendit.

“Ky është kompleksi juaj, pendohesh pasi bën gjithçka, sepse mendon alibinë e radhës. Do doja që opozita të ishte më e fortë, më konkurruese. Por sa herë bëjnë marrëveshje, pendohen, mbyllin marrëveshje dhe ndërrojnë mendje. Çfarë të them unë, ndaj përmenda edhe Zhvejkun.

Qeveria bëri aktin normativ për shtetasit jashtë vendit, ata kanë nevojë, sepse një pjesë e tyre nuk kanë pasur  mundësi, kanë nevojë, kanë dokumente të shteteve të tjera. Ndaj u jepet afat, shtyhet afati i dokumentit të skaduara. Këta tani na thonë po këta brenda, të shtyhet dhe për këta. E kemi bërë herët e tjera, tani shtetasit shqiptarë brenda e dinë, një herë në 10 vjet rinovohen, nuk kushtojnë as nuk ka më radhë. Pse? Sepse në Shqipëri nuk bën dot veprime pa dokument të rregullt. Ndaj kjo që thoni nuk vlen.

Mirë për shtetasit e huaj se nuk kanë mundësi. Tani le të themi, pensionistët a kanë dokument identifikimi, sigurisht që kanë se tërheqin pensionin, ata të asistencës, privatët dhe ata që punojnë në shtet. Ju thoni diskriminim, çfarë diskriminimi është ky.

Patjetër që kanë dokumente ata njerëz, ku jetojnë ata, në pyje? Ai që nuk e ka mundësin, ka kohën ta marrë. Për diasporën jam dakord, se janë jashtë. Po jo këta këtu. Ju po kërkoni alibinë e radhës, ua them unë, janë shifra për konsum, krijohet alibi, merret e trajtohet, e nesër të thonë me alibi aaaa ja shkak ishte kjo. Dëgjova dhe dokrra këtu. Janë absurditete logjike.

Po këta që janë të pamundur, tetraplegjikë apo invalidë, pse mos t’ua japim këtyre të drejtën me postën ne?!”, tha Gjiknuri. 

Ndërkohë Bylykbashi deklaroi se aktet normative janë shumë vonë dhe se duhet të kishin dalë në datën 11 janar.

Bylykbashi shtoi se aktet normative kanë prodhuar diskriminim për shtetasit shqiptar që jetojnë në Shqipëri.

“Kjo paplotësi e akteve që kanë ardhur sot, ka prodhuar diskriminim në nivelin e antikushtetutshmërisë. Qindra apo dhe mijëra qofshin ata të cilët janë në Shqipëri, por nuk e kanë dokumentin e vlefshëm, duhet të kenë të drejtë të votojnë. Edhe nëse s’kanë para të marrin kartën duhet të shkojnë të votojnë. Prandaj këto akte prodhojnë antikushtetutshmëri”, tha Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë