Politike

Këshilltarët opozitarë në bashki kërkojnë mocion me debat për shkarkimin e Veliajt

Nga Gazeta ‘Si’ – Këshilltarët e opozitës në Bashkinë e Tiranës kërkuan që në mbledhjen e sotme të këshillit, e para që pas arrestimit të Erion Veliajt, të futet në rendin e ditës edhe mocioni me debat për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakët.

Në një deklaratë nga selia e PD-së, këshilltarët thanë se kryetarja e këshillit Romina Kuko, duhet të ndryshojë rendin e mbledhjes së sotme, dhe të pranojë kërkesën për mocion, si dhe ngritjen e një komisioni për transparencën e veprimeve financiare të bashkisë.

Në deklaratë, këshilltarët thanë se kryeministri Edi Rama duhet të shkarkojë Veliajn dhe t’i hapë rrugën procedurave ligjore për zgjedhje të reja në bashki, ku pas arrestimit të Veliajt është komanduar në detyrë, zv.kryetarja Anuela Ristani.

“Jemi sot në një situatë ku bashkia e Tiranës e ka kryebashkiakun në burgun e Durrësit prej datës 10 shkurt dhe Këshilli Bashkiak ka sot një mbledhje rutinë, jo me urgjencën e nevojitur të rastit, ku ne kemi bërë kërkesat tona të qarta për ndryshimet e rendit të ditës në pikat e mëposhtme. E dimë shumë mirë dhe është fakt që Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit vetëm për një pjesë të dëmeve që i ka shkaktuar qytetarëve të Tiranës dhe ne kemi kërkuar shkarkimin nga detyra të tij.

Kërkojmë që Rama të zbatojë ligjin, të shkarkojë menjëherë Veliajn duke ju hapur rrugë procedurave ligjore dhe jo ta qajë atë natën, e t’i marrë vendin ditën’, tha ndër të tjera, Ilir Alimehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë