Ka ndodhur

Lezhë, tritol noterisë së vëllait të ish-gjyqtarit dhe kreut të PD, Gjin Gjoni

Gazeta Si – Një sasi tritoli është vendosur në zyrën noteriale të noterit Fran Gjoni mëngjesin e kësaj të mërkure në qendër të qytetit të Lezhës, pranë sheshit “Gjergj Kastrioti”.

Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale, ndërsa referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, janë identifikuar dy persona, të cilët kanë vendosur lëndën plasëse dhe më pas janë larguar.

“Rreth orës 04:00 jemi njoftuar se në qytetin e Lezhës, para derës së zyrës noteriale të shtetasit Fran Gjoni, 57 vjeç, është hedhur një sasi e vogël lëndë eksplozive, e cila ka shpërthyer, duke shkaktuar dëme materiale”, informoi sot policia.

Policia ka nisur hetimet lidhur me rastin e sulmit me lëndë plasëse ndaj noterit Fran Gjoni, i cili është vëllai i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni.

Ky i fundit, prej një viti, është bërë pjesë e politikës si kryetar i Partisë Demokratike në Lezhë dhe kandidat për primare për të qenë deputet në zgjedhjet e 11 majit. Më herët, Gjin Gjoni u tërhoq si gjyqtar pak para nisjes së procesit të Vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë