Ka ndodhur

Vrasja me armë zjarri për pronën në Kurbin, arrestohet autori i dyshuar i ngjarjes

Gazeta Si – Dashnor Tota, autori i dyshuar i vrasjes së 67-vjeçarit, Dodë Mamli në fshatin Vilë të Kurbinit një ditë më parë, është arrestuar pasditen e kësaj të marte.

Tota dyshohet se vrau me armë zjarri Mamli për motive pronësie, pasi mes tyre ka pasur konflikt për një pronë që 67-vjeçari po ndërtonte.

Në momentin e kapjes nga policia, 53-vjeçarit Dashnor Tota, i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin.

“Dyshohet se vrau me armë zjari, një 67-vjeçar, dje, në fshatin Vilëz, si rezultat i kontrolleve intensive nga Policia, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Operacioni për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi u zhvillua pa ndërprerë nga shërbimet operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e fshatit ku ndodhi ngjarja dhe në zonat përreth. Si rezultat, mesditën e sotme, është lokalizuar në fshatin Vilëz, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi: D. T., 53 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Në momentin e kapjes nga Policia, këtij shtetasi i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin D. M., për motive pronësie”, thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë