Prej disa kohësh arbitrat dhe asistentët e tyre janë në syrin e ciklonit për vendimet e marra në ndeshjet që ata drejtojnë. Më shumë në Angli dhe Spanjë dhe më pak në Gjermani, Itali dhe Francë, akuzat për xhaketat e zeza sa vijnë edhe shtohen. Në shtypin spanjoll janë botuar rezultatet e një studimi për pagesat e arbitrave në 5 kampionatet kryesore të futbollit. Eshtë pikërisht La Liga ajo që shpenzon më shumë dhe një arbitër atje përfiton 264.504 euro në një vit kalendarik duke lënë pas Bundesliga-n, një arbitër i cilës përfiton 194.000 euro. Vendin më të ulët në podium e zë Serie A ku një arbitër paguhet 159.708 euro në vit ndjekur nga Premier League me një diferencë të lehtë, 157.895 euro në 12 muaj për një xhaketë të zezë në ishull. E pesta qëndron Ligue 1 ku arbitri kushton 145.208 euro në vit.

Në gadishullin Iberik një arbitër drejton zakonisht 20 ndeshje, ndërsa 10 të tjera ai shërben në dhomën e teknologjisë (VAR). Në pagesën vjetore nuk përfshihen ndeshjet ndërkombëtare ku ata drejtojnë për llogari të UEFA-s. Baza mujore e një arbitri spanjoll arrin deri në 12.500 euro, për një ndeshje ai paguhet 4830 euro dhe për të drejtat e imazhit përfiton 25.500 në një vit kalendarik. Asistenti në La Liga ka një bazë mujore prej 5500 eurosh dhe për çdo ndeshje paguhet 1800 euro. Totali vjetor i një asistenti në kampionatin spanjoll kap shifrën e 70.000 eurove. Në sallën VAR në La Liga, një arbitër paguhet 2100 euro ndërsa asistenti i tij paguhet 900 euro.

Sa ju përket Kupave të Evropës, më e shtrenjta është UEFA Champions League ku arbitri paguhet 7500 euro për një ndeshje ndërsa asistenti paguhet 3500 euro. Në Europa League dhe Conference League, shifrat përgjysmohen, arbitri paguhet 3500 euro për një ndeshje ndërsa asistenti 1750 euro. Nga studimi në fjalë rezulton se një arbitër që drejton një ndeshje në Kampionatin Evropian paguhet 5000 euro në një ndeshje ndërsa asistenti i tij 2500 euro. Kur evropiani kalon në ndeshjet me eleminim direkt, arbitri paguhet 10.000 euro ndërsa asistenti 5000 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




