Rend dhe Ligj

Konflikti për pronën, zbardhet vrasja e 67-vjeçarit në Kurbin. Shpallet në kërkim autori

Gazeta Si – Një ditë pas vrasjes së 67-vjeçarit Dod Mamli në Kurbin, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes.

Në një njoftim, policia thotë se është shpallur në kërkim Dashnor Tota, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me armë zjarri pistoletë Mamlin.

“Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij”, njoftoi policia.

Sipas policisë, vrasja ka motive pronësi për shkak të një toke që viktima po hapte në pyllin e fshatit Vilëz.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Vilëz të Kurbinit rreth orës 18:00 të së hënës, 24 shkurt, ku viktima u qëllua me 3 plumba, 1 në kokë dhe 2 në trup.

Në lidhje me ngjarjen u shoqëruan edhe disa persona, ndërsa kishte dyshime se ngjarja mund të lidhej edhe me motivet e hakmarrjes. Kjo për arsye se Dod Mamli është baba i dy personave të përfshirë në atë që njihet si masakra e Mamurrasit, ngjarje e ndodhur në vitin 2015.

Megjithatë, falë hetimeve të policisë, është zbuluar se në fakt motivi lidhej me çështjet e pronësisë.

Vendi ku u ekzekutua Mamli ishte malor dhe i thepisur. Për këtë arsye u deshën mbi 3 orë që atje të shkonte autoambulanca për ta marrë trupin e pajetë të tij. Siç duket autori ka përfituar si nga zona që nuk mbulohet me kamera dhe terreni i pyllëzuar që të largohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë