Futboll

Shqiptarët përcaktues në kampionatet evropiane

Nga Turqia në Kroaci, duke kaluar nëpër Rumani për të mbërritur në Belgjikë dhe përfunduar në Itali. Kjo është gjeografia e golave kuqezinj në fundjavën që lamë pas. Dikush me pasaportën shqiptare, të tjerë më atë dardane por edhe me kombëtaren zvicerane apo atë të Maqedonisë së Veriut. Përveç golit ata bashkohen edhe nga origjina, gjuha dhe përkatësia, të gjithë shqiptarë që për arësye të ndryshme përfaqësojnë shtete të tilla. Pasqyrimin tonë e fillojmë me Superligën turke ku në mungesë të Ernest Muçit, protagonist ishte Milot Rashica. Mesfushori dardan shënoi golin e dytë në fitoren 1-3 të Besiktas ndaj Eyupspor. Gol që mbylli 45’ e para në avantazh dhe nisi drejt fitores miqtë në transfertë.

Florent Hadërgjonaj

Një tjetër gol i rëndë në udhëtim ishte që shënoi dardani Altin Zeqiri për Rizespor ndaj Samsunspor duke i dhënë fitoren miqve, 2’ nga fundi i kohës së rregullt. U ngrit nga stoli pas pushimit dhe 42’ më pas, Zeqiri kombinoi me Olawoyin për të fituar derbin me Arbnor Mujën. Një tjetër dardan gjeti rrugën e rrjetës në sfidën mes Alanyaspor dhe Adana Demirspor. Florent Hadërgjonaj shfrytëzoi 11 metërshin e besuar në pjesën e dytë duke barazuar shifrat pas disavantazhit të dyfishtë. Në fundin e kohës së rregullt vendasit shënuan edhe golin e fitores që i mban në mesin e artë. Florent Hasani e nisi fundjavën me gol në fitoren e Boluspor të premten në mbrëmje në Ligën e 1-rë.

Florent Hasani

Miqtë shënuan në çdo pjesë ndaj Manisa dhe në të dytën ishte dardani Hasani (që në Shqipëri luajti te Tirana) i cili shfrytëzoi asistin e Aleksic për konsolidimin e rezultatit. Edhe pse mes inferiorëve, Sokol Cikalleshi vazhdon të jetë përcaktues. Këtë herë sulmuesi kavajas shënoi golin e vetëm të Adanaspor në transfertën ndaj Çorum. Mjaftueshëm për një pikë në luftën për mbijetesë. Florian Loshaj ishte i fundit shqiptar që shënoi këtë fundjavë në futbollin turk. 7’ nga fundi i sfidës ndaj Fatih Karagumruk ai gjeti golin e sigurisë për Istanbulspor. Mbetemi në Ballkan dhe ngjitemi në Kroaci ku një gol i Art Smakajt i mjaftoi Lokomotivës në Zagreb të fitonte ndaj Varazdin duke mbyllur vetëm në 2 pikë diferencën në klasifikim.

Amir Rrahmani

Agron Elezi shënoi golin e vetëm për vendasit e Goricas ndaj Sibenik. Pjesë e Skënderbeut 4 sezone më parë, shqiptari nga Maqedonia e Veriut siguroi 3 pikë vitale në luftën për mbijetesë. CFR Cluj kërkon titullin në Rumani dhe për këtë i duhen edhe golat e Korenicës. Futbollisti dardan i hapi rrugën fitores në shtëpi ndaj Petrolul kur zhbllokoi rezultatin 3’ pas kthimit nga dhomat e zhveshjes. Andi Zeqiri shënoi golin e barazimit përpara se Standard Liege të gjente edhe atë të fitores ndaj Club Brugge në një sfidë që vlen zonën evropiane për miqtë në kampionatin belg. Për ta mbyllur zbresim në Apenine, Berat Gjimshiti shërbeu për Reteguin në golin e dytë të fitores 0-5 që Atalanta arriti ndaj Empolit ku mungonte Ardian Ismajli. Për tu harruar fundjava për Amir Rrahmanin që shënoi në portën e tij në humbjen e Napolit ndaj Como-s në transfertë. Tani Rrahmani ndjen Gjimshitin vetëm 2 pikë pas në luftën për titull në Serie A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë