Futboll

Pep Guardiola përballë Arne Slot në “Etihad”

Manchester City vs Liverpool më shumë një rivalitet modern në Premier League se sa një ndeshje Klasike e futbollit anglez. Përballja më interesante në vitet ’90 mbetet ajo e raundit të fundit në sezonin 1995-96 kur barazuan 2-2 në “Maine Road”. City u kthye nga disavantazhi i dy golave por barazimi nuk i mjaftoi për të evituar rënien një kategori më poshtë. Takimi i parë në “Etihad Stadium” ishte në Dhjetor 2003 ishte një tjetër barazim 2-2, kur ish heroi i Liverpool Robbie Fowler i siguroi një pikë City-t por ende nuk flitej për një rivalitet. Prej garës epike për titull në sezonin 2018-19 e deri më sot, kur City triumfoi ndaj Liverpool me 98 pikë ndaj 97 të ndjekësve, të dyja skuadrat kanë pasur vetëm një qëllim. Të përmirësoheshin gjithnjë e më shumë se njëra-tjetra.

Formacionet e mundshme në “Etihad”

Pep Guardiola vs Jürgen Klopp ishte “Përplasja e Titanëve” që mezi pritej por këtij rivaliteti i erdhi fundi kur gjermani la rolin e tij në “Anfield”, Qershorin e shkuar. Arne Slot e pasoi verën e 2024 dhe të gjithë shpresuan që një rivalitet i ri të lindte. Megjithatë largimi i Klopp koinçidoi me rënien e formës së Man City-t. Liverpool nuk e pati aspak të vështirë fitoren 2-0 në “Anfield”, Dhjetorin e kaluar dhe në prag të ndeshjes së dytë në “Etihad”, kryesuesit e Premier League kanë 17 pikë më shumë se vendi i 4 ku qëndron City. Liverpool nuk fiton në “Etihad” në Premier League prej ndeshjes së parë që Klopp u shfaq atje si trainer duke shkatërruar skuadrën e Manuel Pellegrini-t në shifrat 4-1, Nëntorin e vitit 2015.

Omar Marmoush përballë Mohamed Salah

Prej atëherë ka pasur vetëm barazime dhe fitore të City-t. Ndërsa nesër Liverpool është favorit me 40.5% në 10.000 simulime të Opta. City ka 35.0% mundësi për të fituar ndërsa 24.5% e vlerësojnë këtë sfidë në barazim. Diçka e rrallë kjo pasi prej startit të sezonin 2021-22, City nuk ka qënë asnjëherë favorite e dytë në shtëpi dhe sfida Prillit të vitit 2022 ndaj Liverpool (City 42.6%, Liverpool 28.6%) përfundoi 2-2. Mohamed Salah është përfshirë në 13 gola (8 gola, 5 asists) në Premier League ndaj Man City-t dhe Pep Guardiola-s (prej 2016-17). Më shumë se çdo lojtar tjetër. Ndërkohë nga Janari në spondën e kaltër të Manchesterit (qytetit) ka mbërritur një tjetër egjiptian. Pasi vuri emër në Bundesliga te Frankfurt, Omar Marmoush është shpresa e Guardiola-s për të dalë nga kriza ku “citizens” kanë rënë prej Tetorit 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë