Interviste

Projekti i ri / Elenita Roshi: Muzeu Historik Kombëtar nuk do të jetë thjesht një ndërtesë që ‘strehon’ objekte të së shkuarës

Nga Liridon Mulaj – Elenita Roshi është drejtoresha e re e Muzeut Historik Kombëtar prej gati dy muajsh. Duke qënë një emër thuajse i panjohur për jetën publike, patëm kureshtjen për të njohur drejtuesen e Muzeut më të rëndësishëm në vend. Në këtë intervistë për Gazetasi.al Roshi tregon për projektin nga ana arkitektonike e gjithashtu zbulon edhe konceptin modern të funksionimit të “Muzeut Historik Kombëtar”.

Jeni një emër i panjohur për jetën publike shqiptare. Ju kemi parë që lëvizni me biçikletë në qytet, jeni përditë në kantierin e muzeut. Ky është një imazh i mirë dhe modern për dikë që do të drejtojë muzeun më të rëndësishëm në vend. Kush është Elenita Roshi? 

-Fillimisht falenderoj ju dhe gjithkënd që ka kureshtje e interesohet për Muzeun Historik Kombëtar (MHK). Unë jam një manaxhere në profesion: kam një formim akademik  dhe profesional që më ka ndihmuar të kuptoj rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historike, si dhe sfidat e ruajtjes dhe promovimit të saj në një shoqëri që ndryshon me ritme të shpejta.

Kam ndërtuar përvojën time duke punuar me organizata të ndryshme, në sektorin publik dhe privat këtu në Shqipëri. Dhe në ditët më të errëta të post-komunizmit nuk kam menduar ta lë vendin tim. Pas shumë vitesh, kuptova që kisha vëzhguar e dëshmuar fenomenet e tranzicionit në Shqipëri mjaftueshëm dhe kishte ardhur koha të kontribuoja realisht.  Prandaj aplikova për pozicionin e drejtorit të MHK-së.

Dua të mbetem një emër i panjohur në jetën publike shqiptare:jam e parimit që zyrtarët shtetëror duhet t’i shërbejnë shoqërisë me më të mirën e tyre, dhe përfshirja në jetën publike kërkon kohë dhe energji që mund të shpenzohen ndryshe. Por ja ku jam, duke iu përgjigjur pyetjeve tuaja.

E pranova kërkesën tuaj sepse e quaj detyrë të informoj mbi muzeun. Gjithashtu gjej rastin të sqaroj dicka mbi përzgjedhjen time si Drejtuese e Muzeut Historik Kombëtar.

Besoj se jam në këtë detyrë sepse karriera ime ofron një kombinim të përvojës në sektorin e trashëgimisë, aftësive në procese rindërtuese në partneritetet me organizatat kombëtare e ndërkombëtare dhe eksperiencës në manaxhim. Në këtë proces rindërtimi të MHK-së, do të ofroj gjithçka kam mësuar nga përvoja ime dhe nga historia mbi 43 vjeçare MHK-së  ku kanë kontribuar shumë drejtues të mëparshëm.

Fakti që aplikuat dhe e fituat këtë detyre, do të thotë që keni menduar se muzeu mund të drejtohet dhe prezantohet edhe më mirë. Çfarë mendoni se mund të ndryshojë në funksionimin e muzeut, përtej ambienteve të rinovuara?

-Procesi i rindërtimit dhe i rikonceptimit muzeual të MHK-së ka nisur prej muajsh tashmë: projekti arkitektonik është përfunduar dhe bashkë me të janë përcaktuar dhe detaje të tjera. Shumë do të ndryshojë në muzeun e ri:

Muzeu Historik Kombëtar nuk do të jetë thjesht një ndërtesë që “strehon” objekte të së shkuarës. Synohet që Muzeu të jetë një hapësirë që komunikon në mënyrë të gjallë me publikun dhe që pasqyron historinë në një formë dinamike dhe të kuptueshme për të gjithë. Kjo është filozofia që ka motivuar rikonceptimin e muzeut. Prandaj Muzeu do të ketë një shtojcë të tij, që do të tregojë në mënyrë kronologjike historinë e vendit, por edhe pavione të dedikuara për gjuhën shqipe, arkeologjinë, etnografinë etj në të cilat, objektet do të flasin me publikun dhe do të stimulojnë reflektim.

Muzeu synon të bëhet edhe më i hapur, dhe të “thërrasë” vëmendjen e vizitorëve prandaj përdorimi i teknologjisë është mëse i nevojshëm. Krijimi i përvojave interaktive për vizitorët, përmes realitetit të shtuar, informacionit edukativ dhe ekspozitave digjitale, mund të sjellë një dimension të ri në mënyrën si e përjetojmë historinë.

Synohet të përmirësohet përvoja e vizitorit: nga mënyra se si do të priten vizitorët, si do të orientohet rrjedha e tyre në muze, deri te shërbimet e reja që do të ofrohen (udhërrëfime cilësore, dyqan suveniresh, organizime tematike).Të gjitha këto ndikojnë në përshtypjen dhe vlerën që do të marrin vizitorët nga muzeu.

Një muze i mbyllur lipset tashmë të dalë nga muret dhe godina tradicionale. A ka një strategji sesi do të funksionojë muzeu në këto muaj që do të jetë në rikonstruksion?

-Sigurisht që po! Një strategji e tillë është hartuar që nga momenti i mbylljes së muzeut dhe vazhdon të zhvillohet çdo ditë. Në kushtet aktuale, Muzeu Historik Kombëtar ka për detyrë të shkojë te vizitorët, sidomos te fëmijët, duke sjellë përvojën muzeale aty ku ata ndodhen.

Që nga 5 maji 2024, stafi i muzeut ka përfshirë 1,236 fëmijë në aktivitete edukative në shkollat 9-vjeçare të Tiranës, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me brezat e rinj dhe duke nxitur njohjen e trashëgimisë historike në një mënyrë tërheqëse.

Për vizitorët e huaj që vijnë në Tiranë, kemi vendosur të sigurojmë informacion të zgjeruar mbi muzeun përmes metodave të ndryshme: nga informacioni në Sheshin Skënderbej deri te platformat digjitale dhe mediat sociale. Ekspozitat do të vazhdojnë edhe jashtë mureve të muzeut. Ato do të vijojnë të hapen në institucione të tjera kulturore dhe publike. Një ndër partnerët kryesorë do të jetë Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), si dhe  qendra  “Albanian Night”.

Ndërkohë, nisma të veçanta si “Muzeu Lëvizës” dhe “Muzeu Im” do ta çojnë muzeun përtej kryeqytetit, duke e bërë historinë pjesë të komuniteteve në mbarë vendin.

Cilat do të jenë ndryshimet thelbësore të godinës së muzeut?

-Atriumi/oborri i brendshëm aktual është rikonceptuar: një shtojcë ne formë spiraleje elipsoide do të ndërtohet në atriumin e MHK-së pa prekur godinën ekzituese por e mbështetur në të. Aty do të rrëfehet në mënyrë kronologjike historia e Shqipërisë. Sic edhe mund ta shihni në foto, forma e shtuar, nuk është thjesht një element estetik.  Mjediset e hapura krijojnë një ndjesi përfshirjeje për vizitorët, duke i udhëhequr ata natyrshëm në eksplorimin e përmbajtjes së muzeut në pavione. Për më tepër, ajo siguron ndriçim natyral, duke krijuar një ambient të këndshëm për eksplorim.

Tarraca e Muzeut Historik Kombëtar do të shërbejë si një hapësirë multifunksionale dhe dinamike, duke e zgjeruar përvojën muzeale përtej ekspozitave të brendshme. Ajo do të kthehet në një mjedis kulturor dhe shoqëror, ku vizitorët mund të relaksohen, të diskutojnë dhe të marrin pjesë në aktivitete kulturore. Hapësirat e saj do të jenë të dedikuara për ekspozita (si p.sh. një ekspozitë me foto të Marubit). Një nga elementët më mbresëlënës është pamja panoramike që ofrohet nga tarraca mbi sheshin Skënderbej. Përveç kësaj, tarraca do të shërbejë edhe si një hapësirë për evente dhe performance me numër të kufizuar, duke mirëpritur aktivitete artistike, lexime dhe projeksione filmash.

Duke pasë parasysh konceptet moderne sot të muzeve, a do të ketë një hapësirë të dedikuar për fëmijë dhe adoleshentë?

-Po, Muzeu Historik Kombëtar do të ketë një hapësirë të dedikuar për fëmijë dhe adoleshentë, duke ndjekur konceptet moderne të edukimit interaktiv. Teknologjia do të na vijë në ndihmë përmes realitetit të shtuar, aplikacioneve edukative dhe ekspozitave digjitale.

Siç shihet në imazh, kjo zonë është e gjallë dhe shumëngjyrëshe, e krijuar për të nxitur kuriozitetin dhe kreativitetin përmes lojës dhe eksplorimit. Një ekran i madh interaktiv u mundëson fëmijëve të përjetojnë historinë në mënyrë dinamike, ndërsa hapësirat për vizatime, lojëra dhe punë krijuese i ndihmojnë të mësojnë duke u argëtuar. Të gjitha bashkë këto sjellin një dimension të ri në mënyrën si e përjetojnë historinë shqiptare fëmijet dhe rinia.

A do të ketë objekte shtesë në muze? Pra objekte të cilat për arsye dhe shkaqe të kushteve të papërshtatshme, e kanë pasur të pamundur të ekspozoheshin në muzeun kombëtar?

-Muzeu do të ketë një laborator të ri të restaurimit dhe konservimit, mundësuar nga një ndihme bujare e Qeverisë  Japoneze. Kështu që do të ekzistojnë të gjitha mundësitë për të restauruar objekte që nuk ka qenë e mundur të restaurohen deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë