Nga Gazeta ‘SI’ – Në një analizë mbi faktorët që ndikuan në një forcim të papritur të euros kundrejt lekut, ekspertët e qendrës Altax, analizojnë mundësinë e normalizimit të kursit.
Analiza thekson se një intensifikim i luftës kundër pastrimit të parave do të forconte pozitën e euros kundrejt lekut, si monedha e preferuar e krimit. Si rrjedhojë, euro informale do të minimizohet në treg, duke rritur kështu kërkesën për euro formale. Por nëse paraja ilegale vazhdon të mbajë një pjesë të madhe të ekonomisë, politikat monetare e fiskale do të jenë të pamjaftueshme.
Investimet e huaja dhe flukset e kapitalit do të jenë faktorë kyç për të mbajtur një kërkesë të qëndrueshme për euro. Nëse Shqipëria arrin të tërheqë investime të mëdha duke përmirësuar klimën e biznesit, kjo mund të krijojë një kërkesë më të qëndrueshme për euro, nxitur nga faktorë realë e jo spekulime.
Një rikthim i rritjes së inflacionit në vend, mund të ndikojë pozitivisht për euron, por përsëri mbetet e varur nga faktorët e jashtëm dhe kërkesa e jashtme për valutë.
Perceptimi politik
Analiza e Altax thekson se forcimi i euros gjatë kësaj periudhë mund të ketë një efekt politik para zgjedhjeve të 11 majit.
Forcimi i euros mund të krijojë një perceptim pozitiv tek votuesit për stabilitetin ekonomik dhe menaxhimin e mirë të politikës fiskale dhe monetare nga qeveria.
“Në këtë mënyrë, qeveritë mund të përdorin këtë forcim si një tregues të suksesit të politikave të tyre ekonomike”, analizojnë ekspertët.
Vendimet politike që lidhen me stabilizimin e ekonomisë dhe mbajtjen e një kursi të qëndrueshëm të këmbimit mund të jenë të dobishme për krijimin e një perceptimi pozitiv. Nëse ndodhin rritje të shpenzimeve dhe investimeve publike, si dhe një menaxhim i mirë i borxhit publik dhe i inflacionit, mund të krijohet një klimë optimiste për zgjedhjet.
Gjithsesi, në përfundim ekspertët janë skeptikë për jetëgjatësinë e një euro të fortë, duke parë dhe historikun e viteve të shkuara.
Pa kombinimin e politikave të duhura ekonomike dhe monetare, si dhe masave kundër informalitetit dhe pastrimit të parave, forcimi i euros në fillim të vitit 2025 mund të mbetet një fenomen i përkohshëm, me mundësi për luhatje të mëdha në muajt në vijim, përfundon Altax.
Pse u rrit euro në fund të janarit?
Në një rishikim të historisë, rezulton se fenomeni i rritjes së euros gjatë muajve të parë është i përvitshëm. Kjo, sipas ekspertëve lidhet me sezonalitetin e shpenzimeve dhe kërkesës.. Kjo mund të përfshijë shpenzimet e qeverisë, programet e investimeve publike, transaksione të grupeve të mëdha ekonomike apo financiare, si dhe flukse kapitalesh nga remitanca dhe parajsat fiskale dhe investime të huaja, që shpesh janë më të larta në muajt e fundit të vitit dhe në fillim të vitit të ri. Po ashtu, pas festave, kur shpesh ndodhin rritje të konsumit dhe shpenzimeve ka një kërkesë të shtuar për valutë të huaj. Ky fenomen është një faktor i përkohshëm që mund të ndihmojë në forcimin e euros, por është i lidhur me periudhën e vitit dhe mund të zbehet pas disa muajsh.
Një tjetër faktor është efekti i politikave fiskale dhe borxhit në muajt e pare. Përpjekjet për të menaxhuar borxhin publik, pagimin e interesave, dhe financimin e projekteve të reja në fillim të vitit mund të krijojnë kërkesa të përkohshme për valutë. Kërkesa për valutë të huaj mund të jetë gjithashtu e lidhur me situata të pasigurta globale, siç mund të jetë një rritje e çmimeve të energjisë ose ndryshimet në politikat monetare të vendeve të tjera. Këto luhatje mund të kenë një ndikim të përkohshëm në forcimin e euros, por mund të kenë një efekt të kalueshëm nëse faktorët ndërkombëtarë qetësohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



