Liverpool humbi 2 pikë në derbin e fundit të “Merseyside” në “Goodison Park”, por Mohamed Salah u afrua një hap më pranë historisë. Mbreti Egjiptian është një nga blerjet më të suksesshme në historinë e Liverpool dhe me 238 gola është shënuesi i 3 më i mirë në klub. Pas largimit të Jürgen Klopp, Liverpool nuk shihej si favorit për titull por ardhja e Slot e ridimensionoi skuadrën që duket në rrugë të mbarë për të barazuar rekordin e Manchester United me 20 tituj kampionë në futbollin anglez.

Këtë sezon Salah ka qënë përcaktues për Liverpool me kontributin për 36 gola në 24 ndeshje në kampionat – gjithashtu 32 vjeçari ka shënuar 27 gola dhe ka shërbyer për 19 të tjerë në 35 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Salah ndaj Everton arriti në kuotën e 23 golave të shënuar dhe shërbyer në transfertë këtë sezon duke vendosur një rekord në Premier League. Egjiptiani e realizoi diçka të tillë kur Liverppol ka ende edhe 6 ndeshje të tjera jashtë fushe. Diçka që e vë në rrugën e duhur për të thyer rekordin që mbahet nga Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Klasifikimi kryesohet nga Ronaldo që kontribuoi për 32 gola në transfertë te Real Madrid në sezonin 2014/15 në LaLiga.

Ndërsa Messi e ndjek me atë çka bëri në sezonin 2012/13 kur kontribuoi për 31 gola në transfertë te Barcelona. Argjentinasi shfaqet 6 herë në 10 vendet e para ndërsa numrat e Salah këtë sezon me Liverpool e vendosin atë në vendin e 7. Ai ka nevojë të shënojë ose shërbejë për 8 gola larg Anfield që të thyejë rekordin e Ronaldo-s. Në këtë periudhë Liverpool do të vizitojë Aston Villa-n, Manchester City-n dhe Chelsea-n. Klasifikimin prej vitit 2000 për gola dhe asist në transfertë e kryeson Lionel Messi, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo. Ndërsa mes 10 të parëve gjen emra si Zlatan Ibrahimovic, Robert Lewandowski dhe Karim Benzema.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




