Kur duhen edhe 11 javë nga fundi i sezonit të rregullt, Egnatia provon shkëputjen nga ndjekësit në BIG4. Kjo pas rezultateve të javës së 25 që u nda në dy ditë dhe prodhoi vetëm 8 gola në 5 ndeshjet e saj. Katër të parat u ndeshën me njëra-tjetrën por vetëm fituesit në fuqi arritën të shënonin ndaj Partizanit në Rrogozhinë, Kampionët e dy edicioneve të fundit treguan diferenca të mëdha dhe kryeqytetasit duken në situatë gjithmonë e më të vështirë pas largimeve të Janarit.

Si për të vënë gishtin në plagë mendoi Sota (e la Partizanin këtë merkato dimri), që shënoi golin e dytë në “Arena Egnatia”. Dy kartona të kuq të menjëhershëm dhe një tjetër pas dy të verdhëve prodhoi sfida mes Dinamo City dhe Vllaznisë. Nga transferta në Elbasan më të fituar dolën kuqeblutë që nëse nuk fitojnë sezonin e rregullt duan vendin e dytë për avantazhin e fushës në Final4. Dy gola, 1 për çdo skuadër në debutimin e Mezanit në stolin e Bylis në Ballsh. AF Elbasani shënoi e para por nuk e ruajti dot avantazhin dhe kjo i kushton një vend më poshtë në klasifikim.

Ai që e kalon është Laçi që shkatërroi Teutën, mesditën e të dielës. Junior dhe Cordeiro (dy herë në pjesën e dytë) e zhytën akoma më poshtë Teutën e Devollit. Pas disa rezultateve pozitive mes Kupës dhe Superiores, Skënderbeu lëshoi terren për të dytën ndeshje rradhazi ndaj rivalësh direktë për më tepër. Gabimet ndëshkuan të besuarit e Gjokës edhe ndaj Tiranës në “Elbasan Arena”. Në më pak se 10 minuta nga fundi, bardheblutë fituan një 11m të kthyer në gol nga Bajrovic në 85’. Rezultati i 4 pozitiv në 5 ndeshjet e fundit që e ngjiti Tiranën në vendin e 7.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




