Ne rrjet

Ndihma për Ukrainën / Europa ka shpenzuar më shumë se SHBA: ja shifrat që përgënjeshtrojnë Trumpin

Shifrat e përpunuara dalin nga gjurmuesi ukrainas i mbështetjes së Universitetit të Kielit. Evropa fillimisht u fokusua në mbështetjen humanitare dhe financiare, por edhe për armatimet shifrat janë ekuivalente

Gazeta Si – A e mbështetën vërtet Shtetet e Bashkuara përpjekjen e madhe për të siguruar mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni rus?

Prej muajsh, Trump këmbëngul në këtë pikë dhe po e shtyn Evropën në një qoshe, në mënyrë që ajo të rrisë shpenzimet ushtarake dhe të garantojë sigurinë e saj.

Koncept i ripërsëritur nga ministri i ri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sipas të cilit Uashingtoni nuk do të vendosë trupa në Ukrainë për të garantuar paqen. Dhe në të vërtetë, Shtëpia e Bardhë do të donte të përjashtonte BE-në nga tryeza e negociatave.

Fjalët janë një gjë, numrat janë gjë tjetër. Dhe shifrat thonë se, ndërsa viti i tretë i luftës po përfundon, BE-ja (me shtimin e Mbretërisë së Bashkuar) ka shpenzuar më shumë se SHBA-ja për të mbështetur përpjekjet luftarake të Zelenskit.   

Shifrat u përpiluan nga gjurmuesi mbështetës i Ukrainës, një observator i drejtuar nga Universiteti gjerman i Kielit.

Raporti i fundit, i publikuar më 14 shkurt, thotë se në përgjithësi vendet evropiane kanë disbursuar 132 miliardë euro krahasuar me 114 miliardët amerikanë. Dy gjigantët në të dy anët e Atlantikut kanë garantuar një përzierje ndihmash të ndryshme.

Europa fillimisht u fokusua në ndihmën financiare. Deri më sot, nga 132 miliardë, 62 përbëhen nga armatim dhe të tjerat në ndihmë ekonomike dhe humanitare.

Uashingtoni ka vënë theks më të madh në furnizimet e luftës (64 miliardë nga 114). Në çdo rast, edhe pse duam të fokusohemi te mbështetja ushtarake, del se SHBA dhe aleatët e saj janë pothuajse të barabartë. Një fakt pra që përgënjeshtron narrativën Trumpiane.

Në të vërtetë, Observatori i Kielit nënvizon se gjatë vitit 2023, Amerika ngadalësoi fluksin e ndihmave: “Ai u ul ndjeshëm për nëntë muaj, kur Kongresi i SHBA bllokoi çdo projektligj të ri ndihme. Ndihma e SHBA-së ka rifilluar muajt e fundit, por me kthimin e Presidentit Trump në detyrë, ndihma ushtarake e SHBA-së ka të ngjarë të ngecë përsëri”. Raporti përshkruan gjithashtu një ndryshim në mbështetjen e luftës së Perëndimit.

Në vitet e para të konfliktit, vendet e BE-së boshatisën arsenalet e tyre duke ia dorëzuar armët Kievit; në një fazë të dytë, megjithatë, ishte e nevojshme të mobilizoheshin industritë prodhuese të armatimit: “Në 2023 dhe 2024 pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake, mbi 60 për qind, u porosit nga industria dhe prodhohej nga e para. Ky ndryshim është veçanërisht i dukshëm në Gjermani, ku pothuajse tre të katërtat e pajisjeve ushtarake për Ukrainën porositen direkt nga industria”.

“Tre vjet pas fillimit të luftës, – shkruan gjurmuesi i mbështetjes së Ukrainës, – donatorët evropianë kanë prezantuar mekanizma të rinj për prokurimin e përbashkët të armëve industriale për Ukrainën. Nisma më e madhe shumëpalëshe e prokurimit, është Fondi Ndërkombëtar për Ukrainën (IFU), një mekanizëm financimi i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar që bashkon kontributet nga shumë vende për të blerë pajisje ushtarake për Ukrainën, me alokime totale prej 1.6 miliardë euro.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë