Kancelari gjerman Olaf Scholz i hodhi poshtë komentet e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë së Mynihutnë lidhje me mungesën e demokracisë dhe fjalës së lirë në Evropë. Po ashtu Vance tha se imigrimi masiv është një çështje që nënvlerësohet nga të gjitha vendet e Evropës.
“Unë i kundërshtoj shprehimisht ato që tha zëvendëspresidenti i SHBA-së Vance në Konferencën e Sigurisë së Mynihut,” postoi Scholz në platformën X. “Nga përvoja e nacionalsocializmit, partitë demokratike në Gjermani kanë një konsensus të përbashkët: ky është kufiri kundër partive ekstremiste të djathta.”
Pistorius: Komentet e JD Vance ‘të papranueshme’
Edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e kishte kritikuar më parë ashpër JD Vance, i cili i akuzoi qeveritë evropiane se injorojnë shqetësimet e votuesve lidhur me imigracionin si dhe se shtypin lirisë së fjalës.

“Nënpresidenti i SHBA vuri në pikëpyetje demokracinë për të gjithë Evropën,” tha Pistorius në Konferencën e Sigurisë në Mynih. “Ai flet për asgjësimin e demokracisë. Dhe nëse e kam kuptuar saktë, ai po i krahason kushtet në disa pjesë të Evropës me ato në rajone autoritare… kjo është e papranueshme.”
Përfytyrim i shtrembëruar për demokracinë
Në kushtet kur prag të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani partia ekstremiste e djathtë AfD renditet e dyta në sondazhe, Pistoriusi u shpreh me sarkazëm lidhur me mendimin e Vance se liria e fjalës po pengohet.
Demokraci do të thotë që “partitë ekstremiste si AfD mund të bëjnë fushatë krejt normalisht, ashtu si çdo parti tjetër”, tha Pistorius.
“Megjithatë demokraci nuk do të thotë që një pakicë që bërtet më shumë ka automatikisht të drejtë dhe përcakton të vërtetën,” tha ministri gjerman i Mbrojtjes.
Pistorius e akuzoi Vance-in se ka një përfytyrim të shtrembëruar për demokracinë./DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.