Para

Dërgesa emigrantësh dhe paga të punësuarish, në një vit hynë në Shqipëri 1.8 mld euro

Nga Gazeta ‘SI’ – Më shumë se 1.8 miliardë euro kanë hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2023, në formën e dërgesave të emigrantëve apo shpërblime të punonjësve.

Sipas të dhënave të Eurostat, 1246 milionë euro ishin nga vendet brenda BE-së dhe 629 milionë nga vendet jashtë BE-së.

Të dhënat e përpunuara nga Eurostat tregojnë se kjo shifër përbën 8.6% të PBB-së së vendit, duke e listuar Shqipërinë në një nga vendet me raportin më të lartë  dërgesa/PBB.

Ndër vendet e rajonit, Shqipëria mban vendin e dytë, pas Serbisë e cila në vlerë absolute mori 5.419 milionë euro dërgesa.

Për të njëjtin vit, Shqipëria ka dërguar jashtë 165 milionë euro dërgesa, prej të cilave 103 milionë në vendet brenda BE-së.

Vendi që përfitoi më shumë dërgesa gjatë vitit ishte Franca me më shumë se 34 miliardë euro, ndjekur nga Gjermania me 19 miliardë. Vendi që dërgoi më shumë ishte Zvicra, rreth 43 miliardë euro dërgesa. Për Europën, dërgesat e parave arritën një rekord historik, më shumë se 162 miliardë euro.

Eurostat shpjegon se këto dërgesa janë remitanca, pra emigrantë që dërgojnë para në vendlindjen e tyre ose vendas që punojnë për kompani të huaja, apo punonjës sezonalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë